Studentët e Arteve nga Tetova shkëlqejnë në `Ura me tre harqe`
Sh.G|RTKlive
Studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës u prezantuan me sukses në manifestimin kulturor “Ura me tre harqe”, i mbajtur më 21 dhe 22 maj në Prishtinë, ku morën pjesë fakultetet e arteve nga Tetova, Prishtina dhe Tirana.
Hapjen e aktivitetit e bëri prodekani për shkencë, Fatos Lumani, ndërsa në kuadër të programit u mbajt koncerti i përbashkët artistik me interpretime nga studentët e muzikës. Tetova u përfaqësua me performanca në solokëndim, violinë, violë dhe piano, nën mentorimin e profesorëve të fakultetit dhe me shoqërim në piano nga korepetitorja Nita Grubi.
Në manifestim u prezantua edhe arti dramatik me monologje dhe interpretime nga Çehovi, si dhe arti figurativ me punime në skulpturë aplikative, fotografi, linogravurë dhe dizajn grafik.
Për organizimin dhe përgatitjen e studentëve u përkujdesën shefi i Katedrës së Muzikës, Bajramali Idrizi, dhe prodekani Fatos Lumani.
Nga organizatorët u vlerësua se niveli i lartë artistik i studentëve dëshmon përkushtimin dhe punën serioze të Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovës, i cili vazhdon të mbetet një hapësirë e rëndësishme për zhvillimin e talenteve të reja artistike.























