AUV: Therja e kurbaneve lejohet vetëm në thertore të licencuara|Video
Valjete Shala / RTK
Edhe këtë vit, festa e Kurban Bajramit po shënohet sipas traditës me therjen e kurbanit, ndërsa shumë qytetarë kanë nisur blerjen e tyre.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thekson se therja e kurbaneve duhet të bëhet vetëm në thertoret e aprovuara dhe në përputhje me standardet veterinare.
Për ta ruajtur traditën e kësaj feste fetare, Behar Krasniqi e shumë besimtarë të tjerë myslimanë u drejtuan në tregjet e kafshëve, duke siguruar kurbanin.
“Çdo vit blej kurban, është shumë e rëndësishme për ne si mysliman”, ka thënë qytetari Behar Krasniqi.
“Unë blej çdo festë, këto dy festa janë mjaft të rëndësishme për ne. E blejta një për vëllain dhe një për mua. Çmimet e tyre ishin mbi 200 euro e tutje, por neve na lanë më lirë...”, ka thënë një qytetar tjetër.
Tregtarët tregojnë arsyet e çmimeve më të larta të kurbaneve sivjet.
“Sivjet po më duket që interesimi është më i vogël. Çmimet e kurbaneve sivjet janë më të larta krahasuar me vitet e tjera. Çmimi është nga 250-300, varësisht nga pesha e tyre. Arsyet pse sivjet çmimi është më i lartë janë çmimi i ushqimit për kafshët”, ka thënë një tregtar.
Nga Bashkësi Islame e Kosovës tregojnë se kurbani duhet të ndahet sipas rregullave të besimit islam.
“Mishi i therrjes së kurbanit duhet që të shpërndahet në disa pjesë, ku u afrohet ndihmë atyre që kanë nevojë, në mënyrë që edhe ata që në tryezat e tyre nuk e kanë këtë mundësi të mund ta përjetojnë festën. Është një shqetësim për ne kohët e fundit që kjo nuk po respektohet në formën më të mirë siç duhet, dhe kemi vërejtje nga institucionet tona për shkak se në hapësira të ndryshme po bëhet edhe therja e kurbanëve”, ka thënë Ahmet Sadriu nga BIK-u.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, mbi 35 mijë familje kanë përfituar mish nga therja e kurbaneve përmes Bashkësisë Islame të Kosovës. Therja e kurbaneve fillon pas faljes së Kurban Bajramit.
Ndërkaq, me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik dhe respektimit të ligjit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka theksuar se therja e kurbanit lejohet vetëm në thertoret e aprovuara nga institucioni.
Lëvizja e kafshëve pa dokumentacion përkatës, shitblerja apo therja në vende publike nuk do të tolerohen, ndërsa mekanizmat shtetërorë do të ndërmarrin edhe veprime ndaj shkelësve.























