Inspektorëve të Punës u lehtësohet puna me platformë digjitale |Video
BKT
Lajme

Inspektorëve të Punës u lehtësohet puna me platformë digjitale |Video

Valdete Osmani / RTK

Inspektorati i Punës ka bërë lansimin e sistemit digjital të inspektimit të punës, përmes të cilit do t’ua mundësojë inspektorëve t’i regjistrojnë në kohë reale shkeljet që i evidentojnë gjatë inspektimeve të tyre.

Kjo formë digjitale do ta lehtësojë punën e inspektorëve në punën administrative të çështjeve.

“Sistemi duhet të vazhdojë të përmirësohet bazuar në përvojën reale të inspektorëve në terren, si dhe ndryshimet ligjore që vazhdojnë të ndodhin në fushën e punës. Po ashtu, mbetet esencial bashkëpunimi ndërinstitucional dhe shfrytëzoj rastin të falënderoj ATK-në dhe ARBK-në, si dhe AUI-në, të cilët i kemi prezent sot, në mënyrë që shkëmbimi i të dhënave dhe ndërlidhja e databazave të vazhdojë të funksionojë në kohë reale. Një sfidë tjetër është vetë menaxhimi i ndryshimit institucional”, ka thënë Blerim Murtezi nga Inspektorati i Punës.

Lansimi i sistemit u vlerësua hap i rëndësishëm drejt modernizimit të inspektimeve të shkeljeve të të drejtave të punonjësve nga ana e punëdhënësve. Ndërkohë u njoftua që është në proces përzgjedhje edhe të 50 inspektorëve të rinj.

“Për ne, në ekipin e OKB-së në Kosovë pra agjencitë, fondet dhe programet kjo punë për çështjet e punës dhe, më gjerësisht, për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe një sistem social të drejtë, është pjesë shumë e rëndësishme e planit tonë të ri strategjik, i cili u miratua nga Kryeministri të premten”. Ka thënë Stephen O'Malley-Kordinator për zhvillim nga Misioni i OKB-së në Kosovë.

“Kemi kryer mbi 12,800 inspektime dhe kemi arritur te më shumë se 44,000 punëtorë. Natyrisht, disa nga këto të dhëna zbulojnë edhe disa nga sfidat. Kemi 620 aksidente në vendin e punës, 621 lëndime dhe 19 raste fatale, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë. Kjo platformë sigurisht është shumë e rëndësishme”, ka thënë Jonas Westerlund- Ambasadori i Suedisë në Kosovë.

“Ky nuk është thjesht një projekt teknologjik që ne po zbatojmë, por është një investim për sigurinë, është për një investim për dinjitetin dhe për të drejtat e çdo punëtori në vendin tonë. Janë transpozuar mbi dhjetëra direktiva evropiane dhe janë ndërtuar mekanizma të rinj institucionalë për mbrojtjen e punëtorëve. Megjithatë, sfida jonë kryesore vazhdon të mbetet edhe zbatimi efektiv i legjislacionit tonë”, ka thënë Andin Hoti- Ministër në detyrë i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Sipas planit të zhvillimit të platformës, do të jetë e lidhur edhe me databazat e Administratës Tatimore të Kosovës dhe me Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, dhe në këtë mënyrë do të bëhet verifikimi më i shpejtë i të dhënave në terren tani e tutje.


MË SHUME NGA Lajme