Kurti: Subvencionet për të ruajtur fluturimet e mërgatës gjatë verës
BKT
Lajme

Kurti: Subvencionet për të ruajtur fluturimet e mërgatës gjatë verës

Valbona Thaçi / RTKLive

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendimi për subvencionimin e linjave ajrore që lidhin Kosovën me destinacionet ku jeton mërgata është marrë për të parandaluar anulimin e fluturimeve gjatë sezonit veror.

Kurti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se masa prej 2 milionë eurosh është ndërmarrë në një kohë kur rritja e kostos së karburantit ka rrezikuar realizimin e disa fluturimeve të planifikuara për muajt korrik dhe gusht, periudhë kur numri i bashkatdhetarëve që vijnë në Kosovë është më i lartë.

Sipas tij, subvencionimi do të mbulojë linjat ajrore që lidhin Aeroportin “Adem Jashari” me aeroportet nga ku vjen mërgata, deri në fund të sezonit veror të aviacionit, në muajin tetor.

Kurti ka theksuar se vendime të ngjashme për mbështetjen e linjave ajrore aplikohen edhe në shumë shtete të rajonit dhe më gjerë, me qëllim nxitjen e turizmit dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve.

Ai ka mohuar pretendimet se kjo masë lidhet me blerje biletash apo me ardhje të organizuar për qëllime zgjedhore, duke e cilësuar atë si një skemë mbështetëse për mërgatën dhe ekonominë e vendit.


MË SHUME NGA Lajme