Gërvalla u bën thirrje partive për balancë gjinore në debatet zgjedhore
RTKlive
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të televizionit në RTK, Rilind Gërvalla, u ka bërë thirrje partive politike që të respektojnë balancën gjinore gjatë pjesëmarrjes në debatet zgjedhore.
Gërvalla, në një postim në facebook, thekson se kjo kërkesë bazohet në obligimet ligjore dhe vërejtjet e vazhdueshme nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare.
“Duke u bazuar në obligimet që rrjedhin nga Ligji për Radio Televizionin e Kosovës dhe Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe duke marrë parasysh reagimet dhe vërejtjet e vazhdueshme të organizatave joqeveritare dhe raportet e organizatave ndërkombëtare, përfshirë NDI-në, është evidentuar mungesë e balancit gjinor në debatet politike dhe në përfaqësimin e të ftuarve në studio gjatë zgjedhjeve të kaluara", ka shkruar Gërvalla.
Ai u kërkoi subjekteve që të sigurojnë përfaqësim më të barabartë në paraqitjet televizive.
“Të respektoni parimin e balancit gjinor në përzgjedhjen e përfaqësuesve në debate dhe paraqitje televizive, duke synuar përfaqësim sa më të barabartë në panele dhe diskutime; të siguroni përfaqësim të grave për të folur mbi vendimmarrjen, pjesëmarrjen e tyre në jetën publike dhe sfidat e barazisë gjinore në shoqëri", ka shtuar Gërvalla.
Ai rikujtoi se RTK-ja ka obligim ligjor për promovimin e barazisë dhe pluralizmit.
“Kujtojmë se RTK-ja, si transmetues publik, e ka obligim ligjor dhe profesional të promovojë barazinë, përfshirjen, pluralizmin dhe standardet etike e profesionale në përfaqësimin e të gjitha kategorive të shoqërisë, duke garantuar interesin publik dhe respektimin e vlerave demokratike”, nënvizoi ai.























