Arta Jashari sjell koncertin “Arie di Libertà” në Prishtinë
BKT
Kulturë

Arta Jashari sjell koncertin “Arie di Libertà” në Prishtinë

Sh.G|RTKlive

Sopranoja Arta Jashari do të mbajë koncertin e saj solistik “Arie di Libertà” – “Arie të Lirisë”, më 15 qershor 2026, në orën 20:00, në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Qendrore Universitare të Prishtinës. Koncerti do të realizohet nën përcjelljen e maestros, pianistit dhe dirigjentit të njohur italian Mirco Roverelli, artist i lidhur me Accademia Nazionale di Santa Cecilia në Romë.

Roverelli njihet për bashkëpunimet e tij me emra të mëdhenj të muzikës operistike botërore, ndër ta José Carreras dhe Anna Netrebko. Ky projekt kulturor organizohet nën patronatin dhe me mbështetjen e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Kosovë dhe Universitetin e Prishtinës.

Programi i koncertit përfshin vepra premierë dhe vjen në kuadër të aktiviteteve që ndërlidhen me shënimin e “Festa della Repubblica Italiana” dhe Ditës së Çlirimit të Prishtinës, duke u konceptuar si një urë kulturore ndërmjet Kosovës dhe Italisë. Në këtë mbrëmje artistike, krahas sopranos Arta Jashari dhe maestros Mirco Roverelli, pjesë e programit do të jenë edhe artistë dhe bashkëpunëtorë të tjerë, përfshirë Avni Krasniqin, Elikona Hysaj Shalën, Korin e Fëmijëve “Okarina”, Elona Sadikun, Urta Hazirajn dhe Andra Rexhepin.

Sopranoja Jashari përmes një postimi në Facebook ka shprehur falënderime për të gjithë miqtë, kolegët dhe bashkëpunëtorët që kanë kontribuar në realizimin e këtij organizimi, duke veçuar Komunën e Prishtinës, Ambasadën Italiane në Kosovë, Universitetin e Prishtinës, AMC, Dekor Tropikal Ferizaj, Rilind Gërvallën, RTK-në, Dardan Lutën për dizajnin, Gagi Print dhe të gjithë mbështetësit e tjerë. Radiotelevizioni i Kosovës është sponsor mediatik i këtij koncerti.


MË SHUME NGA Kulturë