Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së presin ekipin e filmit `Dua`
Sh.G|RTKlive
Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës, i përfaqësuar nga Ilirjan Hima, bashkë me menaxhmentin e RTK-së, U.D. Drejtoreshën e Përgjithshme, Zana Spahiu dhe U.D. Drejtorin e TV-së, Rilind Gërvalla, takuan sot ekipin e filmit “Dua”, të përbërë nga skenaristja dhe regjisorja Blerta Basholli, producenti Valon Bajgora dhe aktorja Vlera Bilalli, pas suksesit të jashtëzakonshëm në Festivalin e Kanës, ku ky film u nderua me çmimin “SACD” në kuadër të “Semaine de la Critique”.
Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimet e ardhshme mes RTK-së, Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe producentëve vendorë për bashkëprodhime dhe transmetime të filmave kosovarë.
Ekipi i filmit “Dua” u informua gjithashtu me gjendjen dhe resurset që posedon RTK, si në aspektin logjistik ashtu edhe në kapacitetet profesionale të produksionit, të cilat mund të asistojnë ekipet filmike në Kosovë.
Në takim u theksua se RTK mbetet e përkushtuar në mbështetjen dhe promovimin e kinematografisë kosovare në arenën vendore dhe ndërkombëtare.
























