David Khrikuli mahnit publikun e Chopin Piano FEST Prishtina
BKT
Kulturë

David Khrikuli mahnit publikun e Chopin Piano FEST Prishtina

RTK

Në kuadër të edicionit të 16-të të Chopin Piano FEST Prishtina, mbrëmë publiku pati mundësinë të përjetojë një nga recitalet më mbresëlënëse të këtij viti, me pianistin gjeorgjian David Khrikuli, finalist i Konkursit Ndërkombëtar “Fryderyk Chopin” në Varshavë dhe një nga pianistët më premtues të gjeneratës së tij. Sponsor medial i festivalit është Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

I lindur në Gjeorgji, David Khrikuli ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe kritikës ndërkombëtare për interpretimet e tij të rafinuara, ndjeshmërinë artistike dhe pjekurinë muzikore. Pjesëmarrja e tij në finalen e Konkursit prestigjioz Chopin në Varshavë e ka vendosur atë në mesin e pianistëve të rinj më të vlerësuar të skenës ndërkombëtare.

Recitali i mbrëmshëm ishte tërësisht i kushtuar krijimtarisë së Fryderyk Chopin, duke sjellë një program kërkues dhe artistikisht sfidues. Në pjesën e parë, Khrikuli interpretoi Polonezën në fa diesis minor, Op. 44, Tri Mazurkat Op. 56 dhe Sonatën Nr. 3 në si minor, Op. 58, ndërsa në pjesën e dytë ai solli një cikël të jashtëzakonshëm me të katër Scherzo-t e Chopinit: Op. 20, Op. 31, Op. 39 dhe Op. 54.

Me një kontroll të admirueshëm teknik, ndërtim të kujdesshëm të frazës muzikore dhe një kuptim të thellë të stilit chopinian, pianisti gjeorgjian arriti të krijojë një atmosferë të veçantë në sallë, duke mbajtur publikun në një përqendrim të plotë gjatë gjithë koncertit.

Në përfundim të recitalit, audienca e mbushur e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Qendrore Universitare e shpërbleu artistin me ovacion të gjatë në këmbë, duke e rikthyer në skenë disa herë. E emocionuar nga pritja e jashtëzakonshme, publiku kërkoi vazhdimisht kthimin e pianistit, i cili interpretoi tre bis-e (encore), duke e mbyllur mbrëmjen me një atmosferë festive dhe entuziaste.

Koncerti i David Khrikulit u dëshmua si një nga kulmet artistike të këtij edicioni të Chopin Piano FEST Prishtina, duke konfirmuar edhe një herë misionin e festivalit për të sjellë në Kosovë artistë të nivelit më të lartë ndërkombëtar dhe interpretime të shkëlqyera të repertorit pianistiko-botëror.

 


MË SHUME NGA Kulturë