Kurti vlerëson lartë hartimin e master planit për Kompleksin Adem Jashari"
A.B|RTKLIve
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se hartimi i Master Planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz,është një prej projekteve më të rëndësishme të Republikës së Kosovës për kujtesën historike, për trashëgiminë kulturore dhe për identitetin tonë.
"Prekazi zë një vend të posaçëm në kujtesën historike të popullit tonë. Qëndresa dhe sakrifica e familjes Jashari e shndërruan atë në simbol të mbrojtjes së atdheut dhe të përkushtimit ndaj lirisë, duke dëshmuar se liria nuk është vetëm ideal politik, por edhe vlerë për të cilën flijohet gjithçka", tha ai.
Sipas tj, trajtimi i këtij kompleksi është detyrim institucional për të ruajtur, dokumentuar dhe përcjellë me dinjitet këtë trashëgimi te brezat që vijnë pas nesh.
"Nga ajo që u prezantua, pamë se projekti po avancon në përputhje me planin dinamik të kontratës dhe se dokumentet e hartuara deri në këtë fazë dëshmojnë nivel të lartë profesional. Sipas planit, gjatë këtij viti pritet të përfundojnë projektet e konservimit të Kullave të Rezistencës. Kësisoj, Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit i hapet rruga që të iniciojë procedurat e prokurimit, duke shënuar kalimin nga faza e planifikimit dhe projektimit në fazën e ndërhyrjeve konkrete konservuese në terren", tha Kurti.























