Artistja nga Austria Stephanie Rizaj hap ekspozitën `Poliglot i heshtur`
BKT
Kulturë

Artistja nga Austria Stephanie Rizaj hap ekspozitën `Poliglot i heshtur`

Lumira Kelmendi/RTK

Një instalacion që ndërthur tekstilin, skulpturën dhe objektet e gjetura, duke reflektuar mbi identitetin, vlerën dhe qarkullimin global të veshjeve, është prezantuar para publikut nga artistja Stephanie Rizaj, e cila erdhi në Prishtinë me ekspozitën personale të titulluar “Poliglot i Heshtur”, me kuratore Vanessa Joan Muller.

Artistja Stephanie Rizaj, me prejardhje nga Kosova, ndërsa jeton në Austri, duke përshkruar mënyrën e punës, theksoi faktin se ajo e mendon instalacionin përfundimtar gjatë vetë procesit të realizimit. Nuk është diçka që ekziston paraprakisht dhe thjesht vendoset në hapësirë, por është një proces që zhvillohet vazhdimisht. Përzgjedhja e ngjyrës së duhur për etiketat, gjetja e mënyrës se si do të varen elementet e instalacionit etj., janë realizuar gjatë punës së përbashkët me kuratoren. Stephanie dëshiron që publiku të reflektojë mbi mënyrën se si ne sillemi me rrobat, me artikujt e dorës së dytë dhe me të gjithë ciklin jetësor të një veshjeje.

Kuratorja e ekspozitës, Vanessa Joan Muller, e cila është shkrimtare dhe hulumtuese, si dhe mban titullin doktor i shkencave të historisë së artit, është shprehur se: “Ky instalacion është krijuar posaçërisht për këtë galeri. Stephanie punon në seri, ajo zhvillon një ide dhe e eksploron atë në forma të ndryshme. Më parë ka punuar me etiketa të ngjashme, të cilat i ka endur në qilima të mëdhenj që ishin pjesë e Bienales Autostrada”.

Të vendosura në hapësirën e Galerisë Kombëtare të Kosovës, elementet e tekstilit të varura dhe etiketat e transformuara e ndryshojnë perceptimin e hapësirës, duke vënë në qendër marrëdhënien mes estetikës, tregut dhe qarkullimit global të objekteve.

Kuratorja e Galerisë, Hana Halilaj, duke theksuar se kjo është ekspozita e dytë në programin e vitit 2026, u shpreh se: “Ky është një instalacion që adreson konsumerizmin, duke u fokusuar në rrugëtimin e tekstileve. Pikënisja e ekspozitës janë etiketat e veshjeve, të cilat i kemi të gjithë ne, dhe njëherësh është një ndërthurje me abstrakten”. Ajo shtoi se Galeria Kombëtare e Kosovës, pas renovimit, do të rihapet në fillim të muajit korrik me një ekspozitë nga koleksioni i galerisë.

Instalacioni, skulptura, videoja dhe puna me tekstil e përbëjnë praktikën multidisiplinare të artistes Stephanie Rizaj, e cila ndërthur të përditshmen me reflektimet e saj mbi identitetin, komodifikimin dhe përkatësinë. Ajo është artiste vizuale që jeton dhe vepron mes Brukselit, Vjenës dhe Deçanit (Kosovë). Fituese e disa çmimeve, puna e artistes Rizaj është prezantuar në ekspozita ndërkombëtare, bienale dhe festivale filmi. 


MË SHUME NGA Kulturë