Analistët flasin për rezultatin zgjedhor|VIDEO
Sh.G|RTKLive
Analistët politikë vlerësojnë se zgjedhjet në Kosovë kanë treguar një kulturë më të lartë politike. Sipas tyre, një nga problemet që bie në sy është rënia e numrit të votuesve.
Eksperti kushtetues, Kadri Kryeziu, tha në RTK se zgjedhjet nuk kanë sjellë një zgjidhje të qartë politike, por se rezultati është më pak i deshifrueshëm se herët e tjera. Ai theksoi se Kosova aktualisht ka institucione që udhëhiqen nga ushtrues detyre, përfshirë edhe kryeministrin në detyrë.
“Nuk ka mangësi kushtetuese, por ka mungesë të kulturës politike te forcat politike të Kosovës”, tha Kryeziu. Ai kërkoi që të ketë konsensus për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Analisti Ejup Gojnovci vlerësoi se gjuha politike e liderëve është më e butë dhe se po shihet një gatishmëri më e madhe për bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike. Ai tha se deklaratat tregojnë vullnet për bashkëpunim, por nëse kjo do të përkthehet në veprime konkrete mbetet të shihet.
Sipas tij, rënia e numrit të votuesve nuk është një zhvillim pozitiv dhe përbën një mesazh për lidershipin politik në Kosovë.
Analisti politik Zeqir Zeqiri vlerësoi se në deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, shihet gatishmëri për bashkëpunim në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ndërsa për dy pozitat e tjera nuk vëren të njëjtin nivel gatishmërie. Sipas tij, edhe LDK-ja duket se ka gatishmëri për të diskutuar çështjen e presidentit.
Ndërkaq, analisti politik Ibrahim Shala foli për përgjegjësinë e lidershipit partiak, duke u bazuar në rezultatin zgjedhor. Ai tha se zgjedhjet kanë për qëllim të nxjerrin një fitues dhe palë humbëse, por se situata aktuale politike kërkon kompromis dhe bashkëpunim.
Shala deklaroi se Kosova ndodhet në një situatë ku nuk ka shumë alternativa dhe se partitë politike duhet të gjejnë mënyra për të siguruar funksionimin e institucioneve.























