Analistët flasin për zhvillimet pas zgjedhjeve të 7 qershorit|VIDEO
K.Kasumi|RTKLive
Sonte në Radio Televizionin e Kosovës, në kuadër të analizës zgjedhore, është diskutuar për zgjedhjet, hartën elektorale të Kosovës si dhe rrugëdaljet nga kriza presidenciale.
Profesori universitar, Fadil Maloku, vlerëson se situata aktuale politike në Kosovë nuk përfaqëson një krizë të votave apo të pjesëmarrjes qytetare në zgjedhje, por një krizë kushtetuese.
Maloku në RTK tha se zgjedhjet e fundit paraqesin një ripërsëritje të proceseve të mëparshme politike dhe se nuk sheh krizë numerike të votave apo problem në kulturën politike të qytetarëve.
Sipas tij, problemi kryesor qëndron te kuadri kushtetues, i cili po prodhon ngërçe të vazhdueshme institucionale. “Unë nuk shoh krizë as numerike, as krizë votimi. Ajo që shoh është krizë kushtetuese”, tha Maloku.
Analistja Fatime Hajdari, ka vlerësuar se ndryshimet kushtetuese, përfshirë zgjedhjen e presidentit nga populli, do të ndihmonin në shmangien e krizave të vazhdueshme politike dhe institucionale në vend.
Ajo kujtoi se edhe më herët kishte pasur tentativa për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim që presidenti të zgjidhej drejtpërdrejt nga qytetarët.
Analisti politik Sadik Zeqiri ka vlerësuar se rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit nuk krijojnë kushtet e nevojshme për ndërmarrjen e ndryshimeve kushtetuese në Kosovë.
“Zgjedhjet janë mbajtur më 7 qershor dhe edhe pas këtyre zgjedhjeve nuk mund të bëhen ndryshime kushtetuese nga askush, sepse duhet kohë. Ne sonte mund të flasim sa të duash për ndryshime kushtetuese, por zgjedhjet e 7 qershorit nuk na mundësojnë që të bëjmë ndryshime kushtetuese”, tha Zeqiri.
Ai theksoi se konfigurimi aktual politik nuk ofron numrat dhe konsensusin e nevojshëm për ndryshime të tilla, duke shtuar se “zgjedhjet e 7 qershorit nuk na mundësojnë të bëjmë një Republikë të tretë”.
Kurse analisti Ejup Gojnovci, tha se, megjithëse Kosova është përshtatur me funksionimin e Kushtetutës aktuale dhe po vepron si shtet juridik, dokumenti themelor i shtetit vazhdon të ketë probleme serioze në përmbajtje.
“Unë mendoj se ai lloj kataklizmi realisht po ndodh mbi shumicën e qytetarëve përmes kësaj Kushtetute. Duhet të jemi të qartë. Pavarësisht që jemi adaptuar në të dhe po notojmë si shtet juridikisht, megjithatë ka jashtëzakonisht vrima të thella”, tha ai.























