Historia shqiptare në letërsinë e Kadaresë
BKT
Kulturë

Historia shqiptare në letërsinë e Kadaresë

Besjana Mulaj /RTK

Studiuesi i letërsisë, Emin Kabashi, ka mbajtur një ligjëratë në Institutin Albanologjik, kushtuar historisë shqiptare në veprën letrare të shkrimtarit Ismail Kadare.

Sipas Kabashit, asnjë periudhë e letërsisë shqipe, që nga libri i parë i Buzukut e deri në ditët e sotme, nuk ka një korpus letrar që e trajton historinë shqiptare në të gjitha periudhat dhe dimensionet e saj siç e bën vepra e Kadaresë.

“Letërsia shqiptare nuk do të ishte e plotë pa letërsinë e bujshme të Ismail Kadaresë”, tha Kabashi në ligjëratën e mbajtur në Institutin Albanologjik, kushtuar historisë shqiptare në letërsinë e shkrimtarit.

Ai theksoi se vepra e Kadaresë përfshin elemente historike që nga antikiteti e deri te periudhat më të vona historike.

“Në asnjë periudhë kohore të letërsisë shqipe, që nga libri i parë i Buzukut e deri në ditët tona, nuk njoh ndonjë korpus letrar që ta ketë trajtuar historinë shqiptare në të gjitha periudhat dhe skajet e saj siç e bën vepra madhore e Ismail Kadaresë”, u shpreh Kabashi.

Duke iu referuar romanit “Piramida”, studiuesi tha se Kadare e lidh historinë me elemente simbolike dhe universale.

“Dy kapitujt e parë të romanit ‘Piramida’ merren vetëm me gurët… Do të thotë, që nga ndërtimi i piramidës së Keopsit, historia jonë është pjesë e letërsisë së Kadaresë”, tha ai.

Kabashi përmendi gjithashtu edhe lidhjen e veprës së Kadaresë me baladat shqiptare dhe historinë e Perandorisë Osmane.

“Nga korpusi i baladave shqiptare e deri te korpusi i madh i tij që merret me Perandorinë Osmane”, u shpreh ai.

Në ligjëratë u trajtua edhe romani “Kështjella”, ku sipas Kabashit, paraqitet ideja e përballjes historike dhe ekzistenciale të popullit shqiptar.

Gjatë ligjëratës u theksua se veprat e Kadaresë kanë ndikuar edhe në studimet ndërkombëtare, duke shërbyer si një burim për njohjen më të mirë të historisë dhe kulturës shqiptare nga studiues të huaj.

 


MË SHUME NGA Kulturë