‘Mitrovica Guitar Days’ bën bashkë kitaristë botërorë e vendorë
BKT
Kulturë

‘Mitrovica Guitar Days’ bën bashkë kitaristë botërorë e vendorë

Kimete Kasumi/ RTKlive

Mitrovica do të jetë qendër e muzikës së kitarës nga 11 deri më 14 qershor, me organizimin e edicionit të tetë të festivalit ndërkombëtar “Mitrovica Guitar Days”. Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, organizatori Erhan Mujka bëri me dije se festivali do të sjellë tri net koncertesh, masterklasa dhe gara për të rinj e profesionistë nga vende të ndryshme të botës.

Sipas tij, festivali nis të enjten në mbrëmje me koncertin e kitaristes italiane Carlotta Dalia, ndërsa në ditët në vijim do të performojnë edhe artistë nga Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia.

Mujka tha se gara ndërkombëtare “No Age Limit” ka tërhequr aplikime nga vende të ndryshme, përfshirë Kinën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në finalen që mbahet të dielën do të garojnë gjashtë finalistë nga Amerika, Spanja, Italia, Polonia, Kosova dhe Shqipëria.

Ai theksoi se festivali ka fituar njohje ndërkombëtare gjatë viteve të fundit, duke e bërë më të lehtë sjelljen e artistëve me emër në Mitrovicë.

“Ideja kryesore e festivalit është socializimi, shkëmbimi i përvojave dhe krijimi i lidhjeve përmes muzikës. Përmes vibrimit të telave të kitarës afrohen njerëzit dhe ndahen përvoja të reja artistike”, u shpreh Mujka.


MË SHUME NGA Kulturë