“Kanga Jonë 2026” rikthehet në Prishtinë
Sh.G|RTKlive
Në kuadër të aktiviteteve të muajit të çlirimit, nën patronatin e Kryeqytetit, më 24 qershor rikthehet koncerti tradicional “Kanga Jonë 2026”, një ngjarje e veçantë kushtuar trashëgimisë muzikore shqiptare.
Koncerti do të mbahet në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë dhe këtë vit do t’i kushtohet veprës dhe kontributit artistik të tre personaliteteve të shquara të muzikës dhe kulturës shqiptare: Muharrem Qena, Pranvera Badivuku dhe Reshat Randobrava.
Organizatorët bëjnë të ditur se publiku do të ketë mundësinë të shijojë interpretimet e një kaste të njohur artistësh, të cilët do të sjellin në skenë frymën e muzikës shqiptare të viteve ’60 dhe ’70, si dhe këngë që kanë mbetur ndër më të dashurat për breza të tërë.
“Në zemër të kryeqytetit rikthehet koncerti tradicional ‘Kanga Jonë 2026’, një natë e paharrueshme kushtuar trashëgimisë muzikore shqiptare”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Nën shoqërimin e Orkestrës Libertas dhe dirigjimin e Edon Ramadanit, në skenë do të performojnë Adhurim Grezda, Alban Nimani, Alma Bektashi, Aurela Gaçe, Den Abazi, Elina Duni, Jehona Sopi, Kori Okarina, Sihana Badivuku dhe Vesa Luma.
Mbrëmja do të moderohet nga Vesa Luma dhe Drini Zeqo.
Koncerti “Kanga Jonë 2026” do të mbahet më 24 qershor, duke filluar nga ora 20:30, në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë.























