Inaugurohet programi për asistentë të nxënësve me nevoja të veçanta
E.Hoti/RTKlive
Qendra Profesionale për Gjithëpërfshirje ka inauguruar programin e kualifikimit post-sekondar të Nivelit 5 për asistentë të nxënësve me nevoja të veçanta arsimore. Programi mbështetet nga Fondi i Sfidës LuxAid, i financuar nga Qeveria e Luksemburgut dhe i zbatuar nga LuxDev. Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se ky profesion ka rëndësi të veçantë për shoqërinë, pasi ndikon drejtpërdrejt në jetën e fëmijëve dhe familjeve të tyre.
"Për ne arsimi gjithëpërfshirës është edhe përgjegjësi e përbashkët për investim në të ardhmen e vendit, dhe në respektimin e të drejtave të njeriut. Një shoqëri që e çmon dijen për të gjithë, prodhon më shumë drejtësi për secilin. Andaj, përgatitja profesionale e asistentëve për nxënës me nevoja të veçanta arsimore ka rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tonë dhe të ardhmen tonë. Këta profesionistë luajnë një rol kyç në përkrahjen e fëmijëve dhe në ndërtimin e shkollave ku secili nxënës ndihet i barabartë", tha Kurti.
Kurti, ka theksuar rëndësinë e krijimit të një sistemi arsimor që garanton mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët, duke vënë theksin te kujdesi i veçantë për ata që kanë nevoja më të mëdha.
“Është me rëndësi të krijojmë një sistem ku fëmija e takon shtetin dhe e sheh se ai është ofrues i mundësive të barabarta, por që në të njëjtën kohë kujdeset më shumë për ata që kanë më shumë nevojë. Kur fëmija takohet me shtetin në sistemin arsimor, duhet ta ndiejë se mundësitë janë të barabarta dhe se për nevojat e veçanta ka përkushtim të veçantë”, ka deklaruar Kurti.
Ai u uroi suksese pjesëmarrësve në program, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale për nxënësit me nevoja të veçanta.
Në këtë ngjarje foli edhe drejtoresha e Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim për Përparimin në Prishtinë, Vendrita Dushi, e cila vlerësoi bashkëpunimin me Qendrën Profesionale për Gjithëpërfshirje dhe partnerët e saj.
Dushi tha se programi do të kontribuojë në përgatitjen e një gjenerate të re profesionistësh, të cilët përveç njohurive profesionale do të kultivojnë edhe humanizmin dhe përkushtimin ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta.
“Nuk kam dyshim se me profesionalizmin dhe përkushtimin tuaj do të bëni më të mirën që gjenerata e ardhshme e asistentëve të marrë jo vetëm një diplomë, por edhe një mision për t’i shërbyer nxënësve me nevoja të veçanta me dashuri dhe përkushtim”, tha ajo.
Sipas saj, Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim për Përparimin do të vazhdojë të mbështesë studentët dhe stafin e programit, me synimin për të ndërtuar një sistem sa më të fuqishëm mbështetës për nxënësit me nevoja të veçanta në Kosovë.























