KQZ përfundon rinumërimin e 185 vendvotimeve në nivel vendi
BKT
Foto arkiv
Në Fokus

KQZ përfundon rinumërimin e 185 vendvotimeve në nivel vendi

RTKlive

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka përfunduar procesin e rinumërimit të 185 vendvotimeve të rregullta, të cilat ishin përzgjedhur për rinumërim të plotë me vendim të institucionit.

Sipas KQZ-së, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është përmbyllur rinumërimi i nëntë vendvotimeve të fundit, duke përfunduar kështu të gjithë procesin që kishte nisur më 18 qershor.

Të dhënat e përditësuara nga rinumërimi janë publikuar në platformën zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare 2026.

Numri prej 185 vendvotimesh përbën 7.41 për qind të gjithsej 2,498 vendvotimeve të rregullta ku u zhvillua votimi më 7 qershor 2026.

KQZ ka bërë të ditur se vendimi për rinumërim është marrë në bazë të Rregullores Zgjedhore për funksionimin e QNR-së, e cila parasheh mundësinë e rinumërimit pas vlerësimit të materialeve zgjedhore të pranuara nga terreni.

Sipas institucionit, kjo masë kontrolli është ndërmarrë për të adresuar problemet e evidentuara gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e mëparshme dhe synon të garantojë saktësinë dhe integritetin e procesit të numërimit.

Komunat me numrin më të madh të vendvotimeve të rinumëruara janë Prishtina me 18 vendvotime, Prizreni me 16, ndërsa Gjakova dhe Ferizaj me nga 10 vendvotime secila. Rinumërim është zhvilluar edhe në komunat tjera të vendit, përfshirë Pejën, Gjilanin, Mitrovicën e Jugut, Podujevën, Suharekën dhe Vushtrrinë.

KQZ ka theksuar se procesi është përmbyllur me sukses dhe rezultatet e përditësuara tashmë janë reflektuar në sistemin zyrtar të publikimit të rezultateve.


MË SHUME NGA Në Fokus