Rizvanolli thotë se s`janë kundër gazit amerikan, por përmend zgjidhjet
BKT
Lajme

Rizvanolli thotë se s`janë kundër gazit amerikan, por përmend zgjidhjet

Arbresha Berisha / RTK

Çështja e gazit natyror vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve rreth të ardhmes energjetike të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është shprehur se nuk është kundër gazit amerikan, megjithëse po insiston në gazifikim të thëngjillit.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se zgjidhja më e favorshme për vendin është importi përmes terminalit të Vlorës në Shqipëri.

Rizvanolli potencoi se Kosova është me fat që ka rezerva të qymyrit, gjë që sipas saj, i ka mundësuar vendit që të mos krijojë varësi nga gazi dhe të mbajë çmimet më të ulëta në rajon.

Ajo hodhi poshtë edhe pretendimet se Kosova ka refuzuar gazin apo gazsjellësin amerikan në vitin 2021, duke shtuar se Kosova do të bashkërendohet me politikën e jashtme të SHBA-së.

Ndërkaq, zëdhënës të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, në një përgjigje për RTK-në kanë deklaruar se janë të gatshëm të punojnë me Qeverinë e Kosovës për diversifikimin e furnizimit me energji elektrike, përfshirë këtu përmes gazit natyror.

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me industrinë energjetike amerikane dhe me Qeverinë e Kosovës për të siguruar të ardhmen energjetike të Kosovës përmes diversifikimit të furnizimit me energji, përfshirë gazin natyror. Siç ka thënë së fundmi një zyrtar i Ambasadës, Shtetet e Bashkuara mbështesin shqyrtimin e teknologjive dhe mundësive inovative që mund ta ndihmojnë Kosovën të maksimizojë vlerën e burimeve të saj vendore. Shtetet e Bashkuara kanë bashkëpunuar me kompani amerikane për të kuptuar më mirë se çfarë mund të jetë teknikisht dhe komercialisht e realizueshme dhe mirëpresin diskutime të mëtejshme për këtë çështje”, thanë ata.  

Njohës të energjetikës potencojnë se zhvillimi i infrastrukturës të gazit i sjell vendit përfitime energjetike dhe ekonomike.

Ndër vite, SHBA-ja ka bërë përpjekje që të ulë varësinë energjetike të rajonit nga furnizuesit që vijnë nga Rusia.


MË SHUME NGA Lajme