Mungesë kapacitetesh për trajtimin e personave me probleme mendore
BKT
Lajme

Mungesë kapacitetesh për trajtimin e personave me probleme mendore

Arbana Hajredinaj / RTK

Përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile diskutuan për nevojën e garantimit të trajtimit dinjitoz dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për këtë kategori.

"Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë buxhet për zgjerimin e kapaciteteve të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, pasi kapacitetet aktuale janë shumë të kufizuara. Ky projekt pritet të përfundojë brenda disa muajve", tha Genc Nimoni, zëvendësministër në detyrë i Drejtësisë.

"Institucioni për trajtimin e personave me nevoja të veçanta ishte një detyrim ligjor që nga viti 2014. Ai u themelua vetëm dy vjet më parë dhe përbën një shembull të mirë për sistemin", tha Ismail Dibrani, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

"Jemi në rrugë të mbarë. Buxheti tashmë është miratuar", tha Dibrani.

"Siç e tha edhe zëvendësministri, po zgjerohet Instituti i Psikiatrisë Forenzike. Megjithatë, mbetet urgjente rritja e numrit të stafit, sepse nuk mjafton vetëm ndërtimi i objektit; nevojiten edhe profesionistë të kualifikuar", tha Dibrani.

"Personat me çrregullime mendore duhet të vlerësohen në mënyrë të vazhdueshme, të trajtohen në institucione të përshtatshme shëndetësore dhe të përfitojnë mbështetje multidisiplinare psikologjike e sociale, jo vetëm trajtim farmakologjik", tha Naim Qelaj, Avokat i Popullit.

Edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës vlerëson se bashkëpunimi ndërinstitucional është kyç për zbatimin e vendimeve gjyqësore.

"Vlen të theksohet se bashkëpunimi ndërmjet gjykatave dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës në trajtimin e çështjeve që lidhen me personat me çrregullime mendore dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore ka qenë jashtëzakonisht i mirë", tha Arjeta Sadiku, zëvendëskryesuese e KGJK-së.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës thekson se mbrojtja e shëndetit mendor të personave të privuar nga liria është përgjegjësi institucionale.


MË SHUME NGA Lajme