BKK debuton në Romë me “Carmina Burana”
Sh.G|RTKlive
Baleti Kombëtar i Kosovës, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Itali dhe Accademia Nazionale di Danza di Roma, do të prezantojë shfaqjen e njohur “Carmina Burana”, me koreografi nga Toni Candeloro, në Romë.
Shfaqja do të mbahet më 18 korrik në Teatro Grande të Accademia Nazionale di Danza dhe shënon një moment të rëndësishëm për Baletin Kombëtar, pasi për herë të parë ai do të performojë në kryeqytetin italian.
"Ky bashkëpunim vjen si rezultat i lidhjeve kulturore në rritje mes Kosovës dhe Italisë, duke synuar promovimin e artit skenik dhe prezantimin e talentit të baletit kosovar në skena ndërkombëtare me traditë të gjatë.“Carmina Burana” është një nga veprat më të njohura të repertorit botëror, e cila kombinon muzikën dramatike me fuqinë ekspresive të lëvizjes skenike, duke kërkuar një interpretim teknikisht dhe artistikisht të lartë", thuhet në njoftimin e BKK-së.
Pjesëmarrja e Baletit Kombëtar të Kosovës në këtë produksion vlerësohet si një hap i rëndësishëm në afirmimin e institucionit në skenën evropiane të baletit dhe në zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare në fushën e arteve performuese.























