FSK gjen trupin e pajetë të personit të zhdukur në Liqenin e Batllavës
BKT
Lajme

FSK gjen trupin e pajetë të personit të zhdukur në Liqenin e Batllavës

Medina Pasoma / RTKlive

(E plotësuar, 14:06) Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë të ditur se, pas dy ditësh kërkimesh intensive, është gjetur trupi i pajetë i personit që ishte raportuar i zhdukur në Liqenin e Batllavës.

Sipas njoftimit, viktima me inicialet L.R. ishte zhdukur një ditë më parë, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit është zhvilluar nga ekipet e specializuara të FSK-së në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, strukturat komunale të Podujevës dhe shoqatat e kërkim-shpëtimit.

Pas lokalizimit dhe evakuimit, trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Policisë së Kosovës për procedurat e mëtejme.

Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar edhe Enis Pllana, zëdhënës i Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës.

“Sot pas përpjekjeve nga ekipi i  kërkimit dhe shpëtimit, personi është arritur të nxirret nga uji. Ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ka konstatuar se i njëjti është pa shenja jete”, ka konfirmuar ai.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka shprehur ngushëllimet për familjarët e të ndjerit. Ai ka falënderuar FSK, Policinë e Kosovës dhe organet e rendit për operacionin.

“Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimës. Falënderoj pjesëtarët e FSK-së, Policisë së Kosovës dhe të gjithë të angazhuarit për përkushtimin dhe punën e tyre gjatë këtij operacioni”, ka shkruar ai në Facebook.

 


MË SHUME NGA Lajme