Pesë kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit marrin dritën jeshile për votim
Sh.Ç/RTKlive
Paneli Vlerësues i Këshillit Prokurorial të Kosovës ka përmbyllur procesin e intervistimit të kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe ka vendosur që të pesë kandidatët të vazhdojnë në fazën e votimit në Këshill.
Sipas rezultateve të publikuara pas intervistave, kandidatët kanë marrë këto pikë: Zejnullah Gashi – 91.6, Atdhe Dema – 89.3, Naim Abazi – 89, Rafet Halimi – 87 dhe Shqipdon Fazliu – 86.5. Të pesë kandidatët propozohen për votim në Këshill.
“Me qëllim që procesi të jetë sa më transparent, propozoj publikimin e video/audio-intervistave në platformat e Këshillit Prokurorial të Kosovës”, tha kryesuesi Arian Gashi.
Kurse, anëtari Milot Krasniqi tha se kanë ndërtuar standard nga procesi i kaluar, që intervistat të publikohen në kohë reale dhe se ai standard është dashur të ndiqet.
Kryesuesi Gashi tha se nga procesi i kaluar, nuk janë transmetuar menjëherë intervistat.
“Për informacionin tuaj, nuk janë transmetuar menjëherë por pas disa ditëve nga procesi i kaluar”, tha Gashi.
Më pas, me gjashtë vota për dhe një kundër, u miratua propozimi për publikimin e video-intervistave sot.























