Diplomojnë 12 kadetët e FSK-së, Kurti ju premton 1 miliard euro investime
BKT
Lajme

Diplomojnë 12 kadetët e FSK-së, Kurti ju premton 1 miliard euro investime

Medina Pasoma / RTKlive

Kanë diplomuar 12 kadetët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës të gjeneratës 2026.

Haxhiu: Me diplomimin tuaj, nis përgjegjësia e jashtëzakonshme si oficerë të Republikës

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në ceremoni tha se grada që bartin të sapodiplomuarit është përgjegjësi e lartë. Komandantja supreme e FSK-së tha se besimi qytetar fitohet me sjellje, me ndershmëri, me kujdesin ndaj njerëzve që i besohen dhe me gatishmëri për të marrë përgjegjësi edhe atëherë kur vendimet mund të jenë të vështira.

“Me diplomimin tuaj përmbyllet një kapitull i rëndësishëm i formimit tuaj dhe nis një përgjegjësi e jashtëzakonshme si oficerë të Republikës. Katër vite më parë, ju e nisët këtë rrugëtim me ëndrra, ambicie dhe me vullnet të palëkundur për t’i shërbyer atdheut”, deklaroi ajo.

Haxhiu tha se formimi i tyre ushtarak u ka ngulitur disiplinën dhe një kuptim të qartë të përgjegjësisë që mban oficeri.
“Pajisjet moderne, teknologjia dhe standardet e reja kanë rritur pritshmëritë ndaj njerëzve që dinë të mendojnë drejt, të qëndrojnë të qetë dhe të veprojnë shpejt e me integritet”, tha ajo

Kurti drejtuar kadetëve: Ju jeni udhëheqësit e së ardhmes të FSK-së

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se kadetët e diplomuar janë udhëheqësit e së ardhmes të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

“Nga sot nuk jeni vetëm oficerë të rinj, por edhe udhëheqësit e së ardhmes të ushtrisë sonë. Gjatë këtyre katër viteve keni përjetuar vështirësi, keni sfiduar veten dhe jeni detyruar të arrini rezultate. Gjatë kësaj periudhe jeni ngarkuar me vlera të larta, vlera këto të cilat do t’ju shoqërojnë në çdo detyrë që do ta keni si oficerë të Republikës”, deklaroi Kurti.

Kurti tha se mbrojtja mbetet ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës, teksa premtoi 1 miliardë euro investime për FSK-në.

“Në mandatin e ardhshëm do të investojmë 1 miliard euro, do t’i kemi 1 mijë vajza pjesë të ushtrisë sonë. Do ta kemi fabrikën tonë për prodhimin e municioneve, do t’i kemi municionet tona, por më e rëndësishmja, do të vazhdojmë të kemi ushtarakë më të përgatitur e më të shkolluar se asnjëherë më parë, sepse pjesë e ushtrisë sonë janë pikërisht këto vajza”, tha ai.


MË SHUME NGA Lajme