Prizreni shndërrohet në kryeqytet roku me ‘Rock&Blues Fest’
BKT
Kulturë

Prizreni shndërrohet në kryeqytet roku me ‘Rock&Blues Fest’

Enis Tabak / RTK

Rock & Blues Fest, që këtë vit organizohet për herë të katërt në Prizren, nis sonte. Festivali, i cili do të mbahet nga 3 deri më 5 korrik, do ta shndërrojë qytetin për tre ditë me ritmin e muzikës rock.

Në festival do të ngjiten në skenë rreth 15 grupe nga Shqipëria, Kosova, Turqia dhe vende të tjera.

Në program, përveç Telex-it, i cili do të rikthehet në skenë pas një pauze të gjatë, do të performojnë edhe grupi i njohur botërisht Dire Straits Legacy, Kolpa nga Turqia, Guns N' Roses Tribute nga Italia dhe Dhjetori nga Kosova.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se Rock & Blues Fest është shndërruar në një nga organizimet më të rëndësishme që forcojnë identitetin kulturor të qytetit, duke shtuar se festivali e ka pozicionuar Prizrenin si një nga qendrat e rëndësishme të muzikës rock.

Ndërkaq, drejtori i festivalit, Hekuran Gashi, bëri të ditur se këtë vit koncertet do të zhvillohen në dy skena të veçanta. Ai theksoi se skena kryesore, që do të ngrihet në hapësirën e re përballë qendrës sportive, do të jetë njëra nga skenat më të mëdha në Kosovë, ndërsa është përgatitur edhe një skenë e dytë ku grupet e reja do të kenë mundësi të prezantohen.

Rock & Blues Fest do të mbahet falas dhe të gjithë dashamirët e muzikës janë të ftuar të marrin pjesë, ndërsa organizatorët thanë se gjatë tre ditëve në Prizren do të krijohet një atmosferë e paharrueshme.


MË SHUME NGA Kulturë