“N’odën e Malësisë së Gjakovës” sjell trashëgiminë dhe traditën shqiptare
Islam Haxhiu /RTK
Në qytetin e kulturës dhe të traditës, në Gjakovë, për dy ditë me radhë është mbajtur Edicioni i 7- të i Festivalit folklorik gjithëkombëtarë “N’odën e Malësisë së Gjakovës”. Rreth 50 ansamble kulturo artistike nga të gjitha trevat shqiptare kanë prezantuar për publikun artdashës elemente të folklorit dhe trashëgimisë, valleve dhe veshjeve burimore shqiptare të kultivuara ndër shekuj.
“ Me e pasqyrua origjinalitetin e krahinës nga ajo zonë që vijnë. Po më vjen mirë si në valle, në këngët epike, si në këngët lirike. Më vjen mirë që këtu po më vjen mirë se edhe rinia po marrin pjesë më tepër si në këngë, valle, instrumente. Me të thënë të drejtën kur i sheh fëmijët e Drenicës, 20 fëmijë duke i ra sharkisë ose çiftelisë është gjë e mirë sepse përsëri do ta mbajmë origjinalitetin nga vijmë ne. Sepse ne vijmë nga lahuta 4000 vjeçare, gjubleta mbi 4000 vjeçare”, tha Deli Metaliaj, koreograf.
“Secili grup ka qenë shumë i përgatitur, shumë i larmishëm dhe ka sjellë shumë kulturë pas vete, nja traditë pas vete kështu që shpresoj se edhe viteve tjera do të kemi këso organizime të mira dhe shumë të nevojshme. Po të isha juri do ta kisha shumë të vështirë të vlerësoja se cilit grup t’ia dedikoja çmimin e parë, të dytë apo të tretë”, tha Avdi Binakaj, nga SHKA “Ali Mula”.
“E veçanta e këtij festivali ka qenë sepse kryesia e kësaj shoqërie i bëri vlerësimin e duhur artistit të madh Ali Mula. Ju bë një respekt i veçantë sipas traditës së Gjakovës dhe asaj shqiptare edhe artistit të madh Muhamet Morina por edhe gjithë artistëve të tjerë që s’jetojnë më dhe kanë kontribuar për kulturën në Gjakovë”, tha Canë Tahiri, organizator.
“N’odën e Malësisë së Gjakovë” është një manifestim kulturor, tashmë tradicional, që i dedikohet trashëgimisë së pasur të zonës së Malësisë së Gjakovës e cila përfshinë kryesisht rrethin e Tropojës.























