FSK merr pjesë në ushtrimin ndërinstitucional `Golden Sabre 2026`
V.Th / RTKLive
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë pjesë në ushtrimin e përbashkët ndërinstitucional “Golden Sabre 2026”, i cili u zhvillua në Kampin Vrellë nën udhëheqjen e KFOR-it.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, njoftoi se ushtrimi u ndërtua mbi skenarë të reagimit ndaj situatave emergjente dhe menaxhimit të krizave në Kosovë, me qëllim testimin e procedurave operacionale, komunikimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për sigurinë dhe reagimin emergjent.
Sipas tij, ushtrimi synoi forcimin e gatishmërisë dhe rritjen e efektivitetit në përballimin e situatave të ndryshme.
FSK mori pjesë me njësitë e Gardës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit, ekipet për asgjësimin e mjeteve shpërthyese (EOD) dhe ekipet mjekësore, të cilat, sipas Maqedoncit, dëshmuan profesionalizëm, gatishmëri të lartë dhe aftësi të avancuara operacionale gjatë realizimit të detyrave.
Në ushtrim morën pjesë edhe KFOR-i, Policia e Kosovës, Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) dhe EULEX-i, duke dëshmuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me partnerët ndërkombëtarë në forcimin e kapaciteteve për reagim ndaj emergjencave.























