Han i Elezit, CROSSROADS FEST e ktheu Stacionin e Trenit në skenë artistike
BKT
Kulturë

Han i Elezit, CROSSROADS FEST e ktheu Stacionin e Trenit në skenë artistike

V. Thaçi /RTKLive

Mbrëmja e dytë e CROSSROADS FEST e shndërroi Stacionin e Trenit në Han të Elezit në një skenë të jashtëzakonshme artistike, ku drita, muzika dhe arti vizual u bashkuan në një përjetim unik.

Instalacionet e dritës nga Florian Çanga, të ndërthurura me pikturat me motive tradicionale të Dafina Vitisë, krijuan një atmosferë magjepsëse që i dha hapësirës një dimension krejtësisht të ri artistik.

Kulmi i mbrëmjes erdhi me performancën brilante të sopranos Adelina Paloja, e shoqëruar nga një kuartet instrumental, duke sjellë emocione të veçanta dhe duke bërë që kënga shqiptare të jehojë fuqishëm në Han të Elezit. Artistët e mrekullueshëm dhuruan një interpretim të nivelit të lartë, i cili u mirëprit me duartrokitje të gjata nga publiku.

Programi i festivalit vazhdoi edhe gjatë ditës me aktivitete edukative dhe kreative. U mbajt punëtoria “Human Skills in the AI Era”, e udhëhequr nga Fatbardh Kabashi, ku të rinjtë zhvilluan aftësi të rëndësishme si komunikimi, mendimi kritik, kreativiteti, puna në ekip dhe lidershipi. Përmes metodave interaktive dhe diskutimeve frymëzuese, pjesëmarrësit reflektuan mbi rëndësinë e aftësive njerëzore në një botë që po transformohet nga inteligjenca artificiale.

Po ashtu, një atmosferë e veçantë mbizotëroi edhe në punëtorinë “Puppet Lab”, të udhëhequr nga Dori Ukimeri, ku fëmijët dhe të rinjtë shpalosën imagjinatën dhe kreativitetin e tyre përmes krijimit të kukullave artistike, duke e shndërruar aktivitetin në një festë të artit dhe lojës.

Organizimi i suksesshëm i CROSSROADS FEST është dëshmi e përkushtimit të Shoqatës së Gruas DUA, e cila edhe këtë vit ka sjellë një festival që bashkon artin, kulturën, edukimin dhe komunitetin, duke e pozicionuar Hanin e Elezit si një pikëtakim të rëndësishëm kulturor.


MË SHUME NGA Kulturë