Nderohet flamuri amerikan në Prishtinë për Ditën e Pavarësisë së SHBA-së
BKT
Lajme

Nderohet flamuri amerikan në Prishtinë për Ditën e Pavarësisë së SHBA-së

Arbana Hajredinaj /RTK

Në shënim të 4 Korrikut - Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë u zhvillua ceremonia tradicionale e nderimit të flamurit amerikan, pranë shtatores së Presidentit Bill Klinton.

Organizatorët theksuan se ceremonia është një shprehje e vlerësimit për kontributin historik të SHBA-së në mbështetjen e popullit të Kosovës.

 “Në emër të miliona shqiptarëve, shqiptarë që kanë respekt e dashuri për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, unë nga ky ven, i urojmë 4 korrikun, njëkohësisht ua urojmë 250 vjetorin e pavarësisë, këtë jubile të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Agim Rexhepi, kryetar i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”.

 “Po ndihem shumë mirë, i kënaqur. Ju uroj Shtetet e Bashkuara të Amerikës 250 vjetorin, ju uroj suksese, çdo të mirë dhe e falënderoj Amerikën për çdo gjë që ka bë për Kosovën”, ka thënë Mëhill Gjuraj, humanist.

Sipas tyre, partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbetet një nga themelet kryesore të orientimit euroatlantik të Kosovës, ndërsa 4 Korriku është një rast për të rikujtuar vlerat e lirisë, demokracisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Në aktivitet morën pjesë qytetarë, të rinj, përfaqësues të organizatave dhe personalitete të jetës publike, të cilët nderuan flamurin amerikan dhe shprehën mirënjohjen për mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës ndër vite.


MË SHUME NGA Lajme