Pas derdhjes së qumështit, fermerët thirrje AUV-së për transparencë
Sh.Çoçaj/RTKlive
Fermerët kosovarë të qumështit kanë reaguar pas konferencës për media të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) lidhur me situatën në qumështoren “Vita” në Istog, duke vlerësuar se nuk është ofruar asnjë informacion i ri për fermerët që vazhdojnë të presin rifillimin e grumbullimit të qumështit të freskët.
Si shenjë pakënaqësie, disa prodhues gjatë ditës kanë derdhur qumështin në lumë, duke protestuar ndaj bllokimit të grumbullimit.
Shoqata i ka bërë thirrje Ministrisë së Bujqësisë dhe AUV-së që të publikojnë rezultatet e mostrave të marra në qumështoren “Vita” gjatë muajve prill dhe maj.
“Pse i tërë ky hezitim? Po e përsërisim, në të kundërtën mosgrumbullimi do të pasojë me një protestë të paparë në Prishtinë”, thuhet në reagimin e Shoqatës.
Po ashtu, në reagim kërkohet publikimi i rezultateve për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
“Lutje publike: Publikoni rezultatet për mostrat e muajit prill dhe muajit maj 2026 në mënyrë të shmanget një situatë e pakëndshme për gjithsecilin”, thuhet në deklaratën e publikuar në Facebook.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës, Komisioni për Monitorim dhe Ndjekje të Punës së Inspektorëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë njoftoi se, sipas konstatimeve të deritanishme, qumështorja “Vita” ka shkelur vendimin e 10 majit 2026 të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, me të cilin ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në fabrikat për përpunimin e qumështit.
Megjithatë, AUV ka bërë të ditur se gjetjet përfundimtare do të publikohen vetëm pas përfundimit të analizave laboratorike.
Në konferencën për media, kryesuesi i Komisionit për Monitorim dhe Ndjekje të Punës së Inspektorëve dhe udhëheqësi i Zyrës Rajonale të Prizrenit, Durak Zyraku, tha se konstatimet e komisionit mbështeten në gjetjet e inspektorëve që kanë kryer kontrollet në terren.























