Sindikatat: Vonesat e pagave janë të papranueshme dhe po dëmtojnë punëtorët
BKT
Lajme

Sindikatat: Vonesat e pagave janë të papranueshme dhe po dëmtojnë punëtorët

Donika Sherifi/RTK

Vonesat në pagesën e pagave për punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës kanë nxitur reagime të ashpra nga dy sindikatat brenda institucionit, të cilat paralajmërojnë për përshkallëzim të veprimeve sindikale.

Federata Sindikale e RTK-së ka deklaruar se punëtorët ende nuk i kanë marrë pagat e muajit të kaluar, duke e cilësuar situatën të papranueshme dhe përsëritëse. Sipas kësaj sindikate, vonesat e tilla po rrezikojnë të shndërrohen në praktikë të zakonshme, ndërsa menaxhmenti dhe Bordi akuzohen për mungesë transparence dhe neglizhencë në përmbushjen e obligimeve.

Federata Sindikale paralajmëron përshkallëzim të veprimeve sindikale dhe përdorim të mjeteve ligjore, duke  theksuar se paga është e drejtë ligjore dhe jo privilegj.

Edhe Sindikata e Punëtorëve të RTK-së shpreh shqetësim të thellë për situatën, duke theksuar se vonesat po rëndojnë gjendjen ekonomike të qindra punëtorëve dhe familjeve të tyre.

SPERTK kërkon përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje urgjente për garantimin e pagesës së rregullt të pagave, duke paralajmëruar mundësinë e bojkotit të punës dhe protestave në rast të moszgjidhjes së situatës.

Nga ana tjetër, menaxhmenti i RTK-së sqaron se vonesa ka ardhur si pasojë e mos-transferimit të buxhetit për gjashtëmujorin e dytë nga Thesari i Kosovës. Sipas tyre, për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit është kërkuar rialokim i buxhetit nga institucionet përkatëse më 19 qershor, dhe aktualisht po pritet vendimi për transferimin e mjeteve.

Menaxhmenti thekson se sapo fondet të alokohen, pagat e përgatitura për ekzekutim do të paguhen pa vonesë.


MË SHUME NGA Lajme