U hap edicioni i 25-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës
B.H./RTKlive
Ka nisur edicioni i 25-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili këtë vit ka mbledhur rreth 300 studentë nga vende të ndryshme të botës, si dhe profesorë e ligjërues ndërkombëtarë.
Ceremonia e hapjes u mbajt në oborrin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, ndërsa gjatë dy javëve të ardhshme pjesëmarrësit do të ndjekin programe akademike, aktivitete kulturore dhe studentore, me fokus në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha se Universiteti Veror Ndërkombëtar është aktiviteti më i madh akademik ndërkombëtar në Universitetin e Prishtinës dhe, sipas tij, edhe në universitetet shqipfolëse.
Zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Përparim Kryeziu, vlerësoi rëndësinë e universiteteve verore si mundësi për zhvillim akademik dhe profesional të studentëve.
Universiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës organizohet çdo vit nga Universiteti i Prishtinës dhe konsiderohet një nga programet më të rëndësishme akademike ndërkombëtare në vend, duke tërhequr pjesëmarrës nga universitete partnere në mbarë botën.























