Filharmonia e Kosovës mbyll sezonin me koncertin "Americana"
Sh.G|RTKlive
Filharmonia e Kosovës do ta përmbyllë sezonin artistik 2025/2026 me koncertin festiv "Americana", i cili do të mbahet të mërkurën, duke filluar nga ora 20:30, në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë.
Koncerti i këtij viti i kushtohet muzikës amerikane dhe organizohet në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas njoftimit të Filharmonisë së Kosovës, programi do të sjellë një përzgjedhje veprash nga disa prej kompozitorëve më të njohur amerikanë, përfshirë Leonard Bernstein dhe George Gershwin, duke ofruar një udhëtim muzikor përmes ritmeve, tingujve dhe traditës së pasur artistike amerikane.
"Americana" synon të pasqyrojë diversitetin kulturor, kreativitetin dhe ndikimin që muzika amerikane ka ushtruar në skenën botërore, duke ndërthurur energjinë e qyteteve amerikane me elegancën e repertorit simfonik.
Koncerti do të interpretohet nga Filharmonia e Kosovës nën drejtimin e dirigjentit të saj të nderit, Toshio Yanagisawa, duke shënuar përmbylljen e një tjetër sezoni artistik me një mbrëmje festive në qiell të hapur.
Rezervimi bëhet online, ndërsa hyrja për publikun hapet në ora 19:00.























