Drita nxjerr barazim në Lituani
Uran Krasniqi / RTKLive
(E plotësuar, 19:55) - Kampionia e Kosovës, Drita, ka marrë një rezultat të vlefshëm në ndeshjen e parë të raundit kualifikues për Ligën e Kampionëve, duke barazuar 1:1 në udhëtim ndaj skuadrës lituaneze Kauno Zalgiris.
Ndeshja e zhvilluar në Kaunas ka nisur më mirë për vendasit, të cilët kanë kaluar në epërsi në minutën e njëzet e katërt. Pas një goditje nga këndi, topi është devijuar nga Rokas Lekiatas, ndërsa Amine Benchaib është gjendur në vendin e duhur për ta dërguar në rrjetë dhe për t'i dhënë avantazhin Kauno Zalgiris.
Me këtë rezultat është mbyllur pjesa e parë, ndërsa Drita ka hyrë në fraksionin e dytë në kërkim të golit të barazimit.
Skuadra gjilanase është shpërblyer në minutën e tetëdhjetë e dytë. Raddy Ovouka ka harkuar në zonë, ndërsa Blerim Krasniqi është shkëputur mbi mbrojtësit kundërshtarë dhe ka shënuar me kokë, duke e dërguar topin në anën e djathtë të portës për rezultatin përfundimtar 1:1.
Ky barazim i jep Dritës një avantazh të rëndësishëm para ndeshjes së kthimit, e cila do të zhvillohet në Kosovë.
Drita në disavantazh pas pjesës së parë ndaj Kauno Zalgiris
Drita është në disavantazh 1:0 pas dyzet e pesë minutave të parë në përballjen ndaj Kauno Zalgiris të Lituanisë, në kuadër të kualifikimeve për Champions League.
Ndeshja e parë po zhvillohet në Kaunas.
Golin e vetëm të pjesës së parë e ka shënuar Amine Benchaib në minutën e njëzet e katërt. Pas një goditje nga këndi, topi është devijuar nga Rokas Lekiatas, ndërsa Benchaib është gjendur në vendin e duhur për ta dërguar në rrjetë dhe për t'i dhënë epërsinë skuadrës vendase.
Pavarësisht disavantazhit, gjithçka mbetet e hapur për kampionen e Kosovës. Drita ka edhe dyzet e pesë minuta në dispozicion për të reaguar dhe për të kërkuar golin e barazimit.























