Refuzohen ankesat, nesër certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve|Video
Donika Sherifi/ RTK
Pas përmbylljes së të gjitha procedurave ankimore në sistemin gjyqësor, Kosovës i është hapur rruga për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit dhe nisjen e procesit të formimit të institucioneve të reja. Gjykata Supreme ka refuzuar pesë ankesat e paraqitura duke vlerësuar se ato ishin të pabazuara dhe se nuk ofronin prova të mjaftueshme për t`i ndryshuar rezultatet zgjedhore.
Pas këtij vendimi, KQZ ka njoftuar se të mërkurën do të mblidhet për t'i certifikuar rezultatet. Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se janë të gatshëm të vazhdojnë menjëherë me këto procese, duke kërkuar përgjegjësi nga të gjitha subjektet politike për tejkalimin e bllokadës institucionale dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.
Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar pesë ankesat e pranuara kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme të 7 qershorit.
Në vendimin e saj, Supremja ka bërë të ditur se ankesat kanë qenë të pabazuara dhe se vendimet e PZAP-së janë marrë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, andaj edhe pretendimet ankimore nuk janë mbështetur me prova bindëse që do të justifikonin ndërhyrjen në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.
Pas kësaj i është hapur rruga edhe certifikimit të rezultatit zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Zëdhësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se për këtë, të mërkurën komisioni do të mblidhet dhe do të bëj certifikimin e rezultateve përfundimtare.
E ndërkohë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë përsëritur se posa të certifikohen zgjedhjet, do të procedojnë me konstituimin e institucioneve.
Arbërie Nagavci nga VV ka thënë përmes telefonit se fillimisht për çështjen e presidentit është e nevojshme që deputetët e zgjedhur të jenë në nivelin e përgjegjësisë dhe të votojnë pro dhe të tejkalohet bllokada në të cilën siç ka theksuar ajo ndodhet vendi dhe për të shmangur zgjedhje të reja.
"Lëvizja Vetëvendosje do të bëjë gjithçka që është në mandatin tonë për të arritur konsensusin për zgjedhjen e Presidentit/es. E dimë se janë të nevojshme 80 vota në kuti, pra prania e 80 deputetëve në sallë në dy raundet e para, në mënyrë që të finalizohet me sukses procesi i zgjedhjes së Presidentit/es", tha Nagavci.
Sa i përket pastaj votimit të Qeverisë së re, Nagavci ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje si partia e parë në zgjedhje i ka votat për këtë.
"Sa i përket Qeverisë, ne i kemi votat e nevojshme. Prandaj, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit pa humbur kohë duhet të vazhdojmë me procedurën për votimin e Qeverisë, ndërsa brenda afateve kushtetuese do të angazhohemi edhe për arritjen e konsensusit rreth zgjedhjes së Presidentit/es", shtoi ajo.
Ish-shefja e grupit parlamentar të VV-së ka shtuar se kryetari i kësaj partie është i autorizuar që të zhvilloj takimet me subjektet tjera politike në mënyrë që të gjendet një zgjidhje sa më e mirë për tejkalimin e situatës.
Nagavci ka theksuar se Vetëvendosje qëndron prapa faktit se një president konsensual mbetet jo vetëm zgjidhja e duhur, por më e përgjegjshmja për vendin.























