Kërkohet ndërhyrje për pagat e RTK-së, reagon menaxhmenti
BKT
Lajme

Kërkohet ndërhyrje për pagat e RTK-së, reagon menaxhmenti

RTK

Federata Sindikale e Radiotelevizionit të Kosovës ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet shtetërore për ekzekutimin e pagave të punëtorëve të RTK-së, të cilat ende nuk janë realizuar. Ndërkohë, Menaxhmenti dhe Bordi i RTK-së kanë theksuar se vonesa është jashtë kompetencave të tyre dhe se po bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës.

Federata Sindikale e Radiotelevizionit të Kosovës i është drejtuar me një letër ushtrues së detyrës së presidentes Albulena Haxhiu dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për ekzekutimin e pagave të punëtorëve të RTK-së.

Në letër thuhet se pagat, edhe më 9 korrik, nuk janë realizuar, ndërsa kjo paraqet cenim të të drejtave të punëtorëve dhe rrezikon funksionimin normal të transmetuesit publik. Federata thotë se dinjiteti i punëtorëve nuk është i negociueshëm dhe respektimi i të drejtave të tyre nuk mund të varet nga rrethanat financiare apo administrative.

Federata kërkon marrjen e veprimeve të nevojshme për të siguruar zgjidhjen urgjente të kësaj situate dhe për të garantuar që punëtorët e RTK-së t’i marrin menjëherë pagat e tyre.

Tutje, Federata Sindikale e Radiotelevizionit të Kosovës ka kërkuar që të sigurohet llogaridhënie institucionale për shkaqet që kanë çuar në këtë gjendje, si dhe të ndërmerren masa që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

Ndërkohë, Menaxhmenti dhe Bordi i Radio Televizionit të Kosovës, nëpërmjet një reagimi, kanë thënë se kjo situatë është jashtë kompetencave të Menaxhmentit dhe Bordit të RTK-së.

Menaxhmenti dhe Bordi kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse dhe kanë kërkuar që kjo çështje të trajtohet me prioritet maksimal, duke theksuar se pagesa e pagave dhe funksionimi normal i RTK-së janë çështje me interes publik.

Megjithatë, është e rëndësishme të sqarohet se kjo situatë nuk ka ardhur si pasojë e mosveprimit të Menaxhmentit apo Bordit.

Menaxhmenti dhe Bordi mbeten të përkushtuar që, deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj situate, të vazhdojnë angazhimin me të gjitha institucionet kompetente për sigurimin sa më të shpejtë të mjeteve financiare dhe ekzekutimin e pagave të punonjësve, duke garantuar transparencë, komunikim të vazhdueshëm dhe mbrojtjen e interesit të transmetuesit publik dhe të të gjithë të punësuarve të tij.


MË SHUME NGA Lajme