PDK-ja dhe LDK-ja e pranojnë ftesën e Kurtit, Aleanca refuzon
BKT
Lajme

PDK-ja dhe LDK-ja e pranojnë ftesën e Kurtit, Aleanca refuzon

Sh.Çoçaj/RTKlive

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka dërguar ftesë për takim kryetarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe Aleancës, për të diskutuar lidhur me krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të parakohshme.

Dy partitë më të mëdha, PDK-ja dhe LDK-ja, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim, ndërsa Aleanca ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë.

Pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, kryetari Bedri Hamza tha se, pavarësisht mënyrës se si është dërguar ftesa, partia e tij ka vendosur t'i përgjigjet pozitivisht.

“Unë ia ktheva shkresën që PDK-ja është e gatshme të takohet nesër në ora 9 në ambientet e Kuvendit”, deklaroi Hamza.

Ai theksoi se për PDK-në prioritet nuk janë ndarjet e posteve, por përmbajtja e marrëveshjes eventuale.

“Unë do të sillem në mënyrë të përgjegjshme dhe institucionale. Nuk jam kundër që të ketë takime, mirëpo para se të flasim për pozitat, e kam thënë dhe e ripërsëris se është tepër e rëndësishme të flasim për prioritetet, vizionin për të ardhmen, programin dhe adresimin e sfidave që i ka Kosova. Nëse nuk ka dakordim për këto, nuk është qëllimi i PDK-së të ketë një numër të caktuar ministrish, një kryetar Kuvendi apo presidentin”, tha ai.

Në një komunikatë, PDK-ja theksoi se përgjegjësia për formimin e institucioneve i takon partisë që ka fituar zgjedhjet dhe se pret që Kurti të paraqesë një plan konkret për sigurimin e shumicës parlamentare.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se do t'i përgjigjet pozitivisht ftesës.

“Do t’i përgjigjem pozitivisht ftesës. Ky le të jetë një takim i parë. Do të provoj të takohem edhe me liderët e partive të tjera për të kuptuar pozicionet e tyre. Shprehim gatishmëri që LDK të jetë pjesë aktive aq sa mundet, brenda parimeve dhe vlerave që i përfaqëson, drejt formimit të institucioneve të reja”, deklaroi Abdixhiku.

Ndryshe nga PDK-ja dhe LDK-ja, Aleanca e refuzoi ftesën. Kryetari i saj, Ardian Gjini, publikoi letrën drejtuar Kurtit, ku theksoi se nuk e sheh të nevojshëm takimin.

“Aleanca është e gatshme pa kushte ose kërkesa vetjake të ndihmojë në bërjen e kuorumit për zgjedhjen e presidentit/es, nëse mandatari për krijimin e Qeverisë i pranon gjashtë pikat e ofertës sonë... Duke e pasur qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, thuhet në letrën e Gjinit.

Aleanca ka përsëritur se mbështetja e saj për funksionalizimin e institucioneve kushtëzohet me pranimin e gjashtë propozimeve programore, që përfshijnë, mes tjerash, projektin e gazit amerikan, ndërtimin e një termocentrali me thëngjill, rritjen e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla, lehtësime për bujqësinë, financimin e projekteve infrastrukturore dhe krijimin e një fondi të posaçëm për Prishtinën.

Sot ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit deri më 7 gusht.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja mori 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7.

Konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e qeverisë nuk do të jenë problem për Vetëvendosjen, pasi ka fituar 53 mandate dhe nevojiten 61 vota që edhe sipas deklarimeve të zyrtarëve të saj i ka, duke llogaritur në votat e deputetëve të pakicave, pa përfshirë ata të Listës Serbe.

E për presidentin duhen 80 vota, e që nënkupton se nevojitet edhe pjesëmarrja e PDK-së ose LDK-së.


MË SHUME NGA Lajme