Nis takimi Kurti–Hamza në Kuvend, në fokus formimi i institucioneve
BKT
Foto: Donika Sherifi / RTK
Lajme

Nis takimi Kurti–Hamza në Kuvend, në fokus formimi i institucioneve

Sh.Çoçaj/RTKlive

(E plotësuar) Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është në takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në Kuvendin e Kosovës, në kuadër të përpjekjeve për konstituimin e institucioneve të reja. Para takimit, të dy liderët shprehën gatishmëri për dialog, duke theksuar rëndësinë e arritjes së progresit dhe sigurimit të stabilitetit institucional në vend.

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbërritur në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku pritet të zhvillojë një takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza. Kurti ishte i shoqëruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

Para nisjes së takimit, Kurti u shpreh se pret që diskutimet të zhvillohen në frymë konstruktive.

“Pres që takimi të jetë konstruktiv dhe t’i konstituojmë institucionet”, deklaroi ai.

Takimi mes dy liderëve vjen në kuadër të përpjekjeve për konstituimin e institucioneve të reja të vendit.

Edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka folur para se të hyjë në takim me kreun e VV-së, Albin Kurti.

Ai ka thënë se po shkon në këtë takim si përgjigje ndaj ftesës së Kurtit, pa paragjykim.

“I jemi përgjigjur ftesës, pa paragjyku. Uroj që me pasë sukses dhe progres, vendi me pas institucione e stabilitet institucional, progres e përparim”, ka thënë Hamza.Krijimi i institucioneve, Kurti takohet sot me Hamzën dhe Abdixhikun

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pritet të zhvillojë sot takime të ndara me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Sipas agjendës, rapotohet se takimi i parë mes Kurtit dhe Hamzës është paraparë të mbahet në orën 09:00, ndërsa në orën 18:00 Kurti do të takohet me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Takimet pritet të fokusohen në mundësitë për krijimin e institucioneve të reja.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka refuzuar ftesën për takim me Kurtin.

Gjini, publikoi letrën drejtuar Kurtit, ku theksoi se nuk e sheh të nevojshëm takimin.

“Aleanca është e gatshme pa kushte ose kërkesa vetjake të ndihmojë në bërjen e kuorumit për zgjedhjen e presidentit/es, nëse mandatari për krijimin e Qeverisë i pranon gjashtë pikat e ofertës sonë... Duke e pasur qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, thuhet në letrën e Gjinit.

Aleanca ka përsëritur se mbështetja e saj për funksionalizimin e institucioneve kushtëzohet me pranimin e gjashtë propozimeve programore, që përfshijnë, mes tjerash, projektin e gazit amerikan, ndërtimin e një termocentrali me thëngjill, rritjen e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla, lehtësime për bujqësinë, financimin e projekteve infrastrukturore dhe krijimin e një fondi të posaçëm për Prishtinën.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja mori 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7.

Konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e qeverisë nuk do të jenë problem për Vetëvendosjen, pasi ka fituar 53 mandate dhe nevojiten 61 vota që edhe sipas deklarimeve të zyrtarëve të saj i ka, duke llogaritur në votat e deputetëve të pakicave, pa përfshirë ata të Listës Serbe.

E për presidentin duhen 80 vota, e që nënkupton se nevojitet edhe pjesëmarrja e PDK-së ose LDK-së.


MË SHUME NGA Lajme