Fetoshi për samitin e Ankarasë: Ballkani Perëndimor në orbitën e NATO-s
BKT
Lajme

Fetoshi për samitin e Ankarasë: Ballkani Perëndimor në orbitën e NATO-s

A.B/RTKLive

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi,  ka thënë se deklarata e aleatëve nga Samiti i Ankarasë (7-8 korrik) dëshmoi qartësinë strategjike të NATO-s përballë sfidave aktuale të sigurisë në botë.

"Duke riafirmuar ‘përkushtimin e hekurt’ për mbrojtjen kolektive sipas Nenit 5 të Traktaktit të Uashingtonit, ajo i dha përgjigje dilemave mbi çarjen potenciale transatlantike, si dhe kërcënimeve nga Rusia e Irani, me ‘qasjen 360 gradëshe’, që nënkupton parandalim dhe mbrojtje nga të gjitha anët", ka shkruar ai në "Facebook".

Sipas tij, më shumë përgjegjësi europiane dhe kanadeze për një aleancë të modernizuar e më të fuqishme, mbështetje e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, vendosmëri e përsëritur se Irani kurrë s’duhet të ketë armë bërthamore, si dhe njoftimi për samitin e ardhshëm në Tiranë, janë mesazhet strategjike të Ankarasë drejtuar Moskës, Teheranit dhe Beogradit.

"Kur kërcënimet janë evidente, siguria merr prioritet. Trazimet e shkaktuara nga ‘ultimatumi’ i Presidentit Trump për një përgjegjësi më të madhe europiane në mbrojtje, pasiguria lidhur me angazhimin amerikan në Europë, barra financiare e luftës në Ukrainë dhe dallimet mbi Lindjen e Mesme (CSIS, 14.02.2025), u shkrinë gradualisht në prioritetin strategjik dhe aleanca riafirmoi kohezionin transatlantik përballë kërcënimeve të “boshtit revizionist”", tha ai.

Fetoshi në analizën e tij, shkruan se rizgjimi europian’, me rritjen e investimeve në mbrojtje dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën (Ursula von der Leyen në Konferencën e Sigurisë në Mynih, 14.02.2026), e riformësoi të ardhmen e një aleance më të modernizuar: një Europë më e fortë në një NATO më të fortë (The Ankara Summit Declaration).

"Angazhimet për autonomi më të madhe strategjike të Europës, të nxitura sidomos pas deklaratave të Trump për ta marrë Groenlandën nga Danimarka, e nxorën në sipërfaqe nenin 42.7 të Traktatit të Lisbonës (detyrimin e Shteteve Anëtare për ndihmë dhe asistencë me të gjitha mjetet nëse një Shtet Anëtar është viktimë e një agresioni të armëtosur), por të cilin shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas e sqaroi si ‘klauzolë komplementare’ me nenin 5 të NATO-s (Kaja Kallas, 24.04.2026)", tha ai.

Duke shtuar se në këtë sfond paqartësish e përplasjesh, samiti i Ankarasë dëshmoi se rritja e autonisë europiane nuk paraqet alternativë ndaj NATO-s dhe kërkesa për përgjegjësi më të madhe ishte kërkesë për një aleancë më të fortë e më të aftë që t’i përgjigjet kërcënimeve në 360 gradë.

"Samiti tregoi se aleatët europianë dhe Kanadaja, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po marrin përgjegjësi më të madhe për ‘mbrojtjen kolektive’, derisa investimet e përbashkëta në prodhim, inovacion, teknologji të avancuara dhe inteligjencë, e përkthejnë unitetin politik në fuqi operative për reagim dhe parandalim.Kjo ka rëndësi thelbësore edhe për Ballkanin Perëndimor, sepse çdo dilemë mbi ‘lidhjen transatlantike’ mund të kalkulohet si hapësirë për ndërhyrjet destabilizuese të Serbisë dhe Rusisë në rajon", tha ai.

Sipas tij, Aleanca nuk e ka në radar vetëm frontin lindor. Strategjia e saj kundër kërcënimeve është gjithëpërfshirëse: Rusia në lindje, terrorizmi dhe paqëndrueshmëria në jug, Irani dhe siguria e korridoreve detare, kërcënimet hibride, sulmet kibernetike dhe destabilizimi në rajone të ndjeshme si Ballkani Perëndimor (Koncepti Strategjik i NATO-s, 03.03.2023).

"Sipas Genini-t, NATO ka demonstruar qëndrueshmëri përmes zgjerimit dhe qasja e saj bazohet në përshtatje, varësisht nga ndryshimet në mjedisin e sigurisë. Duke identifikuar tri faza të mëdha të përshtatjes (e para në fillim të viteve ’90 me shpërbërjen e BRSS dhe rënien e Murit të Berlinit; e dyta, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe e treta pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014), ai e konsideron thelbësore për suksesin në të ardhmen, aftësinë e saj të përshtatjes ndaj kërcënimeve hibride (Genini, 2025). Pikërisht këtë nënkupton 'qasja 360 gradë', me mbështetjen për Ukrainën, qartësinë ndaj Iranit, optimizimin gradual të KFOR-it dhe samitin e ardhshëm në Tiranë. Aleatët zotuan 70 miliardë euro në pajisje ushtarake, ndihmë dhe trajnim për Ukrainën, duke synuar që ta ruajnë këtë nivel edhe në vitin 2027 (The Ankara Summit Declaration). Ky është mesazh i qartë për Rusinë se kohëzgjatja e luftës nuk mund ta lodhë Perëndimin. Nga ana tjetër, qëndrimi ndaj Iranit e zgjeron ‘kohezionin’ e NATO-s përtej Europës Lindore, duke adresuar edhe burimin e kërcënimeve. Në rastin e Kosovës, kjo qasje shprehet me njoftimin e Forcave Aleate të NATO-s në Europë mbi optimizimin e misionit të KFOR-it, për shkak të përmirësimit të situatës dhe rritjes së aftësive të organizatave të sigurisë në Kosovë (NATO/SHAPE, 12.06.2026). Pavarësisht tendencave të Serbisë që ta ‘alarmonte’ njoftimin si rrezik për sigurinë e serbëve nga “terrori i Prishtinës”, NATO e ka të qartë shmangien e Vuçiqit ndaj kërkesave të përsëritura për ‘llogaridhënie’ në rastin e Banjskës (Mark Rutte, 11.02.2026), duke e ‘heroizuar’ kryeterroristin Milan Radojçiq se po përndiqet për shkak të Kosovës (Vuçiq, 29.06.2026)", tha ai.

Ai shkruan se mbajtja e samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë, siç u njoftua nga Sekretari i Përgjithshëm (Rutte, 08.07.2026), ka rëndësi të jashtëzakonshme politike dhe strategjike për Ballkanin Perëndimor.

"Jo për shkak se Beogradi dhe Moska po e sfidojnë orbitën euro-atlantike të rajonit, por sepse ‘thellësia strategjike’ do ta eliminojë rrezikun nga operacionet hibride për depërtimin rus. Pas Marrëveshjes Ushtarake të Kosovës me dy aleatë të NATO-s - Shqipërinë dhe Kroacinë - të cilën Vuçiq vazhdon ta kornizojë si “rrezik” për Serbinë (Danas, 14.03.2026) dhe NATO si “kontribut për stabilitetin rajonal” (Evropa e Lirë, 14.02.2026), ajo vazhdon drejt përfundimit të tranzicionit të FSK-së sipas standardeve të NATO-s, i paraparë për vitin 2028. Sfidat e sigurisë pas agresionit rus në Ukrainë dhe kërcënimet nga Serbia si sulmi në Banjskë (2023), e kanë rritur dinamikën e zhvillimit të kapaciteteve të FSK-së (Kosovo Security Strategji, 2022-2027), e kanë shtuar mbështetjen amerikane për sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore (The Geopost, 15.01.2025) e të Turqisë për Bashkëpunimin Ushtarak Fianaciar (Daily Sabah, 06.05.2026), duke e bërë partnere serioze për Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza (Reuters, 30.03.2026) dhe të aftë për ndërveprim me NATO-n (takimi FSK-EUCOM, 12.06.2026). Të gjitha këto zhvillime marrin edhe dimension të rëndësishëm politik në samitin e Tiranës, jo vetëm si mesazh për rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor (NATO, 17.04.2026), por edhe si përgjigje definitive ndaj kërcënimeve, planeve dhe synimeve ekspansioniste të “Botës Serbe", shkruan në analizën e tij Fetoshi.


MË SHUME NGA Lajme