Jashari takon zyrtarët gjermanë, diskutohet zhvillimi i FSK-së
V.Th / RTKLive
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zëvendësambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Böttcher, si dhe Tilmann Scherf nga Zyra e Jashtme Federale Gjermane.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë takimit Jashari falënderoi delegacionin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme që Republika Federale e Gjermanisë i ka dhënë Kosovës, me theks të veçantë në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së që nga themelimi i saj.
Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në FSK, prioritetet dhe nevojat e saj, si dhe për procesin e planifikimit të zhvillimit të mëtejmë. Po ashtu, palët shkëmbyen pikëpamje për situatën aktuale të sigurisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit për përballimin e sfidave të përbashkëta.
Në përfundim të takimit, Jashari ritheksoi mirënjohjen për mbështetjen e Gjermanisë në të gjitha fazat e zhvillimit të FSK-së, ndërsa të dyja palët u pajtuan për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve bilaterale ushtarake ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.























