Aktakuzë në Gjakovë për shitblerje të narkotikëve
BKT
Lajme

Aktakuzë në Gjakovë për shitblerje të narkotikëve

M.Sh/RTKLive

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet E.K., i cili dyshohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më 12 shtator 2025, rreth orës 20:15, në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, është ndaluar nga Policia e Kosovës teksa po lëvizte me një motoçikletë të tipit Honda. Gjatë kontrollit, në çantën e tij janë gjetur nëntë qese plastike me substancë narkotike me peshë 12.82 gram, si dhe 945 euro dhe 2,000 lekë.

Prokuroria njofton se më pas është kryer kontroll dhe bastisje në shtëpinë e të pandehurit, ku janë sekuestruar 9,990 euro, 10 franga zvicerane, disa qese me substanca në formë bari dhe pluhuri, katër peshore digjitale, qese najloni të zbrazëta, gërshërë, një thikë dhe një lugë e vogël, të cilat dyshohet se janë përdorur për përgatitjen dhe shpërndarjen e narkotikëve.

Sipas raportit të Agjencisë së Kosovës për Forenzik, substancat e sekuestruara rezultuan të ishin 187.41 gram marihuanë dhe 4.56 gram kokainë.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë.


MË SHUME NGA Lajme