Japonia mbështet arsimin gjithëpërfshirës në Pejë
Edon Gerbani / RTK
Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim "Xheladin Deda" në Pejë është pajisur me një dhomë moderne sensorike, automjet të përshtatur për transport dhe pajisje të specializuara edukative, në kuadër të një projekti të financuar nga Qeveria e Japonisë përmes Programit të Asistencës Grant për Projektet e Sigurisë Njerëzore në Nivel Lokal (GGP).
Ceremonia e dorëzimit të projektit u mbajt të martën në prani të përfaqësuesve të Ambasadës së Japonisë, Ministrisë së Arsimit dhe stafit të qendrës.
Drejtori i QBMK "Xheladin Deda", Isuf Ahmetaj, tha se investimi përfaqëson shumë më tepër sesa një mbështetje materiale.
"Ky investim nuk është thjesht një ndihmë materiale, por një dritë shprese dhe një dorë e shtrirë drejt të ardhmes së fëmijëve tanë. Dhoma sensorike do të luajë një rol të pazëvendësueshëm në stimulimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të tyre", tha Ahmetaj.
Sipas tij, dhoma sensorike, automjeti i ri dhe garazhi do të ndikojnë drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së procesit edukativo-arsimor dhe në krijimin e mundësive më të mira për gjithëpërfshirje.
I ngarkuari me Punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki, bëri të ditur se Japonia financoi projektin me rreth 69 mijë e 500 euro, përmes të cilit u sigurua një automjet i përshtatur me nëntë ulëse, u ndërtua garazhi dhe u krijuan dhoma moderne sensorike, të pajisura me mjete edukative dhe terapeutike.
Ai theksoi se Qendra Burimore "Xheladin Deda" është institucioni i vetëm i specializuar në Kosovë për fëmijët me dëmtime në të parë dhe se investimi do të përmirësojë shërbimet për rreth 110 fëmijë, të cilët aktualisht marrin mbështetje nga kjo qendër.
"Dhoma e re sensorike dhe dhoma para-sensorike, të pajisura me një gamë të gjerë mjetesh moderne edukative dhe terapeutike, ofrojnë një mjedis më stimulues për mësim, që mbështet zhvillimin dhe mirëqenien e çdo fëmije", tha Tanigaki.
Ai ndau edhe një përvojë personale, duke treguar se vajza e tij ka kaluar nëpër sistemin e arsimit special, gjë që, sipas tij, e bën ta kuptojë edhe më mirë rëndësinë e arsimit gjithëpërfshirës.
"Në fakt, edhe personalisht e kuptoj rëndësinë e arsimit special, pasi vajza ime ka kaluar nëpër këtë sistem si një fëmijë me nevoja të veçanta. Prandaj e vlerësoj thellësisht punën tuaj për t'u ofruar arsim cilësor fëmijëve me nevoja të veçanta në Kosovë", deklaroi ai.
Në emër të Ministrisë së Arsimit, udhëheqësja e Departamentit për Fëmijët me Nevoja të Veçanta, Salihe G. Osmankaq, tha se donacioni do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe të jetës së përditshme të nxënësve.
Gjatë vizitës në qendër, përfaqësuesit e Ambasadës së Japonisë panë nga afër funksionimin e dhomës moderne sensorike, e cila është pajisur me mjete për zhvillimin e aftësive shqisore, orientimin hapësinor, stimulimin e mbetjeve të shikimit dhe rekreacionin e fëmijëve sipas programeve individuale.
Projekti përfshin gjithashtu një automjet të përshtatur për transportin e nxënësve, i cili do të lehtësojë qasjen e tyre në shërbimet edukative dhe rehabilituese, si dhe do t'u mundësojë mësimdhënësve të realizojnë më lehtë vizitat në terren.
Sipas Ambasadës së Japonisë, Programi GGP zbatohet në Kosovë që nga periudha para shpalljes së pavarësisë. Deri më tani, Japonia ka financuar 67 projekte në mbarë vendin, me një vlerë të përgjithshme prej mbi 4.4 milionë eurosh.


























