Abdixhiku pezullon negociatat me Kurtin pas nismës në LDK për shkarkim
V.Th / RTKLive
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të partisë, duke bërë të ditur se ka autorizuar nisjen e procedurave për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të kësaj partie.
Abdixhiku ka thënë se në selinë e LDK-së janë dorëzuar 148 nënshkrime të delegatëve të Kuvendit të partisë, ndërsa ka theksuar se do të respektojë procedurat statutare.
“Nuk do t’i shmangem asnjë procesi demokratik, nuk do t’i iki asnjë vote dhe nuk do ta mbaj asnjë detyrë kundër vullnetit të shumicës”, ka deklaruar Abdixhiku në një video në faqen zyrtare të tij në Facebook.
Ai ka bërë të ditur se për shkak të kësaj nisme do t’i ndërpresë angazhimet për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, duke vlerësuar se në këto rrethana nuk mund të vazhdojë negociatat në emër të LDK-së.
“Nuk do të ishte as serioze dhe as e përgjegjshme që unë të vazhdoja të negocioja në emër të LDK-së, ndërkohë që mandati im për të udhëhequr dhe përfaqësuar atë është vënë në diskutim nga brenda shtëpisë sime”, ka thënë ai.
Kreu i LDK-së ka shprehur shqetësimin se ky proces mund të ndikojë në stabilitetin e partisë dhe në funksionimin institucional të vendit.
“LDK-ja do të duhej të sillej si shtëpi e interesave të qytetarëve, jo e apetiteve për kryetarin dhe karrigen e kryetarit”, është shprehur Abdixhiku.
Ai ka thënë se do ta pranojë çdo vendim të delegatëve, duke theksuar se asnjë pozitë nuk është më e rëndësishme se besimi i anëtarësisë dhe interesat e vendit.
“Do ta pranoj çdo vendim, sepse asnjë pozitë nuk është më e madhe se besimi i njerëzve dhe asnjë interes personal nuk mund të jetë më i madh se Republika jonë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Pas verifikimit të nënshkrimeve, sipas tij, do të caktohet data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së.























