Begolli Pustina: Emri `Akordet e Kosovës` sjell përgjegjësi më të madhe
Sh.G|RTKlive
Radiotelevizioni i Kosovës ka nisur përgatitjet për edicionin e katërt të Festivalit të Këngës, i cili këtë vit do të rikthejë emrin historik “Akordet e Kosovës” dhe në kuadër të tij për herë të parë do të organizojë edhe Festivalin e Fëmijëve.
Koordinatorja e festivalit, Gentiana Begolli Pustina, tha në emisionin e mëngjesit të RTK-së se organizimi i sivjetmë paraqet sfidën më të madhe deri tani, pasi festivali do të zhvillohet në një format të zgjeruar.
"Është organizimi më i madh në shtet, aq më shumë kur këtë vit kemi të bëjmë praktikisht me dy festivale. Nuk e kemi vetëm festivalin e këngës moderne, por është edhe festivali i fëmijëve", tha ajo.
Begolli Pustina tha se rikthimi i emrit "Akordet e Kosovës" sjell edhe një përgjegjësi të madhe për ekipin organizativ.
"Kur është formuar ekipi, disa kanë thënë që është një lloj privilegji. Unë mendoj që është përgjegjësi shumë e madhe, sepse emri është shumë i madh, sidomos këtë vit", shtoi ajo.
Begolli Pustina sqaroi se festivali do të vazhdojë traditën e Festivalit të Këngës së RTK-së, ndërsa rikthimi i emrit "Akordet e Kosovës" nuk nënkupton krijimin e një festivali të ri.
"Ajo çfarë është shumë e rëndësishme të theksohet është se do të jetë vazhdimësi e Festivalit të Këngës së RTK-së. Ajo çfarë këtë vit e bën të veçantë edicionin e katërt që organizon RTK-ja është rikthimi i emrit 'Akordet e Kosovës'".
Konkursi për pranimin e këngëve mbetet i hapur deri më 31 gusht, ndërsa festivali do të mbahet në javën e fundit të muajit tetor. Organizatorët presin pjesëmarrjen e këngëtarëve të afirmuar, por edhe të talenteve të reja nga të gjitha trevat shqiptare.
Sipas Begolli Pustinës, një nga synimet kryesore të festivalit mbetet promovimi i artistëve të rinj.
"Një ndër misionet e këtij festivali dhe misioni ynë si transmetues publik është që sa më shumë të promovohen artistët e rinj, pra ta kenë një derë të hapur, një skenë të tillë".
Risia e këtij edicioni do të jetë Festivali i Fëmijëve, i cili organizohet për herë të parë nga RTK-ja.
"Kjo është hera e parë që RTK organizon një festival të përmasave të tilla edhe për fëmijë. Kemi filluar t'i marrim praktikat më të mira të Ballkanit dhe vendeve evropiane se si janë organizuar", tha ajo, duke shtuar se organizimi i një festivali për fëmijë kërkon kujdes të veçantë në çdo detaj.
Risi tjetër është se sivjet festivali do të zhvillohet në Sallën "1 Tetori" në Prishtinë, që pritet të ofrojë kushte dukshëm më të mira për të gjithë pjesëmarrësit.
Duke folur për synimin që Kosova të përfaqësohet në Eurovision përmes këtij festivali, Begolli Pustina tha se kjo çështje është e lidhur me anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian të Transmetuesve (EBU).
“Unë po besoj jashtëzakonisht shumë që do të befasohemi sa i përket pjesëmarrjes së Kosovës në Eurovizion, dua të besoj ashtu, mirëpo nuk mund të premtojmë asgjë për arsye se nuk është që kjo çështje i takon RTK-së. Tashmë kjo është çështje shtetërore. Ne pa diskutim që me vjet të tëra kemi punuar që të jemi sa më shpejt pjesë EBU-së”, tha Begolli Pustina.
Edicioni i sivjetmë synon të ndërthurë traditën e "Akordeve të Kosovës" me krijimtarinë bashkëkohore, duke krijuar një skenë të re për artistët e afirmuar dhe talentet e reja, ndërsa aplikimet për pjesëmarrje do të pranohen deri më 31 gusht.























