Zyrtare: Aston Villa transferon Joao Gomes nga Wolves
F.B/RTKLive
Aston Villa ka kompletuar transferimin e mesfushorit brazilian Joao Gomes nga Wolverhampton Wanderers, në një marrëveshje që kap vlerën e 38 milionë funteve.
Lëvizja e 24-vjeçarit vjen pas largimit të Youri Tielemans drejt Manchester Unitedit, ndërsa trajneri Unai Emery e kishte identifikuar Gomesin si objektivin kryesor për të përforcuar mesfushën e skuadrës.
Villa gjithashtu ka pasur probleme në repartin e mesfushës pas dëmtimit të rëndë të Amadou Onanas, i cili do të mungojë deri në vitin 2027 pas një lëndimi të pësuar gjatë Kupës së Botës 2026.
Joao Gomes pritet të jetë një nga shtyllat e reja të mesfushës së Aston Villas, e cila këtë sezon do të rikthehet në garat e Ligës së Kampionëve. Klubi nga “Villa Park” ka investuar fuqishëm në merkato, duke përfshirë edhe transferimin rekord të Johan Manzambit nga Freiburg.
Marrëveshja me Wolves përfshin një pagesë fillestare prej 34 milionë funtesh, ndërsa 4 milionë të tjera do të paguhen përmes bonuseve të lidhura me paraqitjet dhe sukseset e lojtarit.
Transferimi i Gomes konsiderohet një goditje e rëndësishme për Unai Emeryn, pasi Aston Villa arriti të mposhtë konkurrencën e klubeve të tjera, përfshirë Atlético Madridin, për shërbimet e mesfushorit brazilian.
Gomes largohet nga Wolves pas tre sezoneve e gjysmë në Premier League, ku zhvilloi 130 paraqitje dhe u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
Mesfushori brazilian do t’i bashkohet menjëherë bashkëlojtarëve të rinj në përgatitjet parasezonale, ndërsa Aston Villa do të zhvillojë disa miqësore në Evropë para turneut veror në Azi.























