Dështon seanca për masakrën e Reçakut|VIDEO
Donika Sherifi / RTK
Mungesa e katër avokatëve mbrojtës ka bërë që të dështojë seanca e shqyrtimit fillestar ndaj 21 të akuzuarve në mungesë për Masakrën e Reçakut.
Ndonëse nga Gjykata Themelore kishin kërkuar nga Oda e Avokatëve që të dërgojë emrat e avokatëve që do të angazhoheshin për të mbrojtur të akuzuarit, kjo kërkesë nuk është përfillur nga oda.
“Gjykata i njofton palët poseduese se në mungesë të katër avokatëve mbrojtës gjykata ka paraqit kërkese pranë Odës së Avokatëve 01.06.2026 për angazhimin e avokatëve të rinj për 4 të akuzuarit e lartcekur por deri më tani pas kërkesave të vazhdueshme ata nuk e kanë njoftuar gjykatën se cilët janë avokatë me emra me cilin janë të angazhuar në mënyrë që të njoftohet prokurori i prokurorisë speciale që avokatët të pajisen me shkresat e lëndës”, ka thënë Violeta Namani-Hajra, gjyqtare.
Ndërsa prokurori special, Ilir Morina, tha se as gjysma e avokatëve të aranzhuar nuk e kanë marrë shkresën e lëndës.
“Si prokurori me datë 29.06.2026 i kemi drejtuar një email gjykatës ku kemi kërkuar listën e avokatëve të cilët janë të angazhuar sipas detyrës zyrtare në këtë çështje penale. pas pranimit të emalit nga gjykata me datë 10.07.2026 i kemi dërguar email të gjithë avokatëve të angazhuar në këtë çështje penale, në këtë rast vetëm 10 avokat kanë ardhur dhe i kanë marr shkresat e lëndës për të cilët kemi evidencën, kurse avokatët tjerë nuk janë paraqitur në zyrën tonë”, ka thënë Ilir Morina, prokuror special.
E për shkak të paqartësive me avokatët dhe mungesën e shkresës së lëndës, rrjedhimisht seanca gjyqësore u shty për 31 korrik.
Sipas aktakuzës, në periudhën 1998-1999, 21 të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës “243 të Mekanizuar”, Armatës së 3-të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.
Të pandehurit fillimisht e rrethuan fshatin Reçak nga vendet e quajtura “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, e më pas, nga distanca e granatuan fshatin me mjetet ushtarake, kontrolluan shtëpi më shtëpi, dhe ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, ku i detyruan të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.























