Nis gjykimi në mungesë ndaj Endrit Llapashticës dhe Dardan Marevcit
RTKlive
(E plotësuar) Ka nisur procesi gjyqësor në rastin e njohur si “Capat dhe Sekiraqët”, ku dy të akuzuarit, Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci, do të gjykohen në mungesë, pasi vazhdojnë të jenë në arrati.
Sipas aktakuzës, Endrit Llapashtica akuzohet për veprat penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. Ndërkaq, Dardan Marevci ngarkohet me veprat “Vrasje e rëndë” në tentativë dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Prokurori Bashkim Zeqaj kërkoi që procesi të zhvillohet në mungesë, duke theksuar se Prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për sigurimin e të pandehurve.
“Prokuroria lidhur me këta dy të pandehur i ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e tyre, por të njëjtit gjenden në arrati. Andaj, prokurori i shtetit e ka ngritur aktakuzën në mungesë ndaj të pandehurve Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci, pasi janë shterur të gjitha mundësitë ligjore për arrestimin e tyre. Kemi marrë të gjitha veprimet duke filluar nga urdhërarresti, letër-rreshtimi vendor dhe ndërkombëtar, mirëpo ata qëndrojnë në arrati, edhepse janë të vetëdijshëm se ndaj tyre është duke u zhvilluar procedura penale, dhe këtë e bëjnë me qëllim të shmangies së thirrjeve të organeve të rendit”, deklaroi Zeqaj.
Pas shqyrtimit të kërkesës, gjyqtarja Fatime Dërmaku vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për mbajtjen e gjykimit në mungesë.
“Meqenëse nuk prezantojnë të pandehurit dhe nuk kemi informuar asnjë informacion… erdhi në përfundim se gjykimi në mungesë mund të mbahet”, tha gjyqtarja Dërmaku.
Ajo sqaroi gjithashtu se në këtë rast akuzohen edhe persona të tjerë, por procedura ndaj Llapashticës dhe Marevcit është ndarë, pasi ndaj tyre procesi do të zhvillohet në mungesë.
Në seancë, aktakuza u konsiderua e lexuar, pasi ishte lexuar më herët gjatë procedurës ndaj të pandehurve të tjerë.
Mbahet seanca fillestare ndaj Endrit Llapashticës dhe Dardan Marevcit
Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, sot duke filluar nga ora 09:00, pritet të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Endrit Llapashticës dhe Dardan Marevcit.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, në lidhje me përleshjen e armatosur mes grupeve “Capat” dhe “Sekiraqët”, e ndodhur gjatë vitit 2024 në lagjen Aktash të Prishtinës.























