‘Prizren Fest’ nis edicionin e pestë me 20 shfaqje
K. K. / RTKlive
Edicioni i pestë i “Prizren Fest” hapet sonte, mr një program të zgjeruar me 20 shfaqje, punëtori, masterklasa dhe aktivitete artistike të shpërndara në 11 lokacione të ndryshme të qytetit.
Në një intervistë për emisionin "Mirëmëngjesi Kosovë" në RTK, drejtori artistik i festivalit, Adrian Morina, tha se festivali është rritur përtej pritshmërive fillestare, falë interesimit të publikut, mbështetjes institucionale dhe partnerëve ndërkombëtarë.
"Ky është edicioni i pestë. Nëse dikush do të më kishte thënë se festivali do të rritej kaq shpejt, nuk do ta kisha besuar. Interesimi i qytetarëve, përkrahja e institucioneve dhe besimi i partnerëve ndërkombëtarë na kanë shtyrë të ndërtojmë programin më të madh deri më sot", tha Morina.
Ai theksoi se "Prizren Fest" ka kaluar nga pesë shfaqje në edicionin e parë në 20 shfaqje këtë vit, ndërsa programi do të zhvillohet në 11 hapësira të ndryshme të qytetit, me tri shfaqje çdo mbrëmje, një për fëmijë dhe dy për të rritur.
Morina theksoi se festivali vazhdon të mbështetet në konceptin e teatrit të angazhuar, duke sjellë produksione që trajtojnë çështje sociale dhe nxisin dialogun me publikun.
Ndër shfaqjet që ai veçoi është një produksion nga Franca, i cili trajton sfidat e personave që lëvizin me karrocë. Në këtë performancë, 20 pjesëmarrës do të përjetojnë lëvizjen në qytet me karroca invalidore, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për qasjen dhe përfshirjen.
Një tjetër shfaqje që Morina e cilësoi të veçantë është produksioni nga Brazili, që do të luhet në Burgun e Prizrenit dhe trajton dhunën ndaj grave gjatë regjimit ushtarak brazilian, duke krijuar paralele me përvojat e grave shqiptare gjatë periudhave të represionit.
Në program është përfshirë për herë të parë edhe Teatri Kombëtar i Stambollit me shfaqjen "Lysistrata", ku e gjithë kasta përbëhet nga aktore gra. Morina tha se festivali i kushton rëndësi përfaqësimit më të madh të grave në skenë.
Tutje ai theksoi se festivali synon jo vetëm rritjen e numrit të shfaqjeve, por edhe ngritjen e cilësisë artistike, duke sjellë në Prizren produksione që zakonisht prezantohen në skenat më të rëndësishme evropiane.























