Arapi-Grasniqi: Kultura e turizmi, potenciale për zhvillim ekonomik
Shqipe Gashi / RTKlive
Zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi-Grasniqi, ka thënë se bashkimi i fushave të kulturës dhe turizmit krijon mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe promovimin e identitetit kulturor të Kosovës.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, Arapi-Grasniqi ka deklaruar se pas reformimit të ministrisë, turizmi është përfshirë si fushë e re veprimtarie, krahas kulturës, trashëgimisë kulturore dhe të drejtës së autorit.
Sipas saj, synimi është që përmes programeve të përbashkëta të shfrytëzohet potenciali i Kosovës në turizmin kulturor dhe malor, duke e kthyer trashëgiminë dhe identitetin kulturor në vlerë për qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Duke folur për sezonin veror kulturor, zëvendësministrja tha se Kosova këtë vit ka një program të pasur aktivitetesh, të organizuara nga institucionet publike të kulturës, por edhe nga skena e pavarur kulturore.
Ajo përmendi aktivitetet e institucioneve si Filharmonia, Baleti, Opera e Kosovës, Galeria Kombëtare, Teatri Kombëtar dhe Ansambli “Shota”, si dhe festivalet e shumta që zhvillohen në qytete të ndryshme të Kosovës gjatë pranverës dhe verës.
Arapi-Grasniqi theksoi se mbështetja trevjeçare për festivalet kulturore ka ndikuar në rritjen e stabilitetit dhe nivelit të organizimit të tyre, duke kontribuar që Kosova të jetë më e pranishme në hartën ndërkombëtare të aktiviteteve kulturore.























