Mujka: U larguan 11 vila të ndërtuara pa leje në zonën e Liqenit të Ujmanit
V.Th / RTKLive
Njëmbëdhjetë vila të ndërtuara pa leje janë larguar të martën nga zona e njohur si “Plazhi i Shqiptarëve”, në breg të Liqenit të Ujmanit, në kuadër të aksioneve për kthimin e pronave publike të uzurpuara.
Kryeshefi ekzekutiv i NPH “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përmes Inspektoratit kompetent, me asistencën e Policisë së Kosovës, pas kërkesës së ndërmarrjes për lirimin e pronave publike.
Sipas “Ibër-Lepenc”, aksioni ka kaluar pa incidente dhe është realizuar në koordinim të plotë ndërinstitucional. Ndërmarrja theksoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse për lirimin e pronave të uzurpuara dhe mbrojtjen e Liqenit të Ujmanit, i cili furnizon me ujë të pijshëm rreth 500 mijë banorë në nëntë komuna të Kosovës.























