Gojnovci: Më afër zgjedhjeve sesa krijimit të institucioneve
BKT
Lajme

Gojnovci: Më afër zgjedhjeve sesa krijimit të institucioneve

Valbona Thaçi / RTKLive

Në emisionin politik “Prime” në RTK, analisti Ejup Gojnovci ka vlerësuar se Kosova mund të jetë më afër mbajtjes së zgjedhjeve të reja sesa krijimit të institucioneve të reja.

Duke komentuar situatën pas zgjedhjeve dhe mundësinë e formimit të qeverisë, Gojnovci tha se Lëvizja Vetëvendosje ka më pak deputetë krahasuar me zgjedhjet e kaluara dhe se kjo e vështirëson krijimin e një qeverie me shumicë të qëndrueshme.

“Jemi në situatë pothuajse të njëjtë me pas zgjedhjeve të 28 shkurtit të vitit të kaluar, kur Lëvizja Vetëvendosje kishte numrat për të bërë qeverinë e vetme, bashkë me partnerët e saj minoritarë, përjashtuar Listën Serbe. Por, për dallim prej asaj kohe, është më e dobët me numra. Kësaj radhe ka katër deputetë më pak”, tha ai.

Sipas Gojnovcit, një nga çështjet kryesore mbetet zgjedhja e presidentit, e cila, sipas tij, mund të ndikojë në zhvillimet e ardhshme politike.

“Thembra e Akilit edhe kësaj radhe mbetet presidenti, sepse presidenti na çoi në zgjedhje edhe herën e kaluar, do të na çojë në zgjedhje, shoh unë, në bazë të zhvillimeve edhe pas këtyre zgjedhjeve”, u shpreh ai.

Ai tha se afati më i mundshëm për zgjedhje të reja mund të jetë mesi i nëntorit, nëse nuk do të ketë zhvillime të tjera institucionale apo çështje të ngritura në Gjykatën Kushtetuese.

“Përpara do të shkojmë në zgjedhje sesa që do të bëjmë institucione”, tha Gojnovci.

Duke folur për rolin e partive politike në krijimin e institucioneve, ai kritikoi vendimin e PDK-së për të mos marrë pjesë në procesin e formimit të institucioneve, duke e cilësuar si “vetëpërjashtim”.

“Është e drejtë e një partie politike që thotë ‘unë kam marrë këtë votë dhe do të mbetem në opozitë’, por unë po them që u vetëpërjashtua nga ajo që është e domosdoshme në krijimin e institucioneve”, tha ai.

Gojnovci foli edhe për zhvillimet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kërkesën për mbajtjen e kuvendit të partisë.

“Pres që Lidhja Demokratike e Kosovës të tregohet e përgjegjshme, sepse është subjekt politik me përvojë dhe ka njerëz që e kuptojnë seriozitetin e gjendjes”, tha ai.

Sipas tij, nëse nuk arrihet një marrëveshje për krijimin e institucioneve, edhe një mungesë e vetme e një deputeti mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

“Nëse Lidhja Demokratike e Kosovës dështon vetëm një deputet nga LDK-ja, meqë Kurti nuk i ka të gjithë deputetët minoritarë dhe janë fiks 80 numra LDK, Vetëvendosje dhe minoritetet jo-serbe, atëherë mjafton një deputet që vendi të shkojë në zgjedhje”, deklaroi Gojnovci.


MË SHUME NGA Lajme